Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë ka refuzuar si të pabazuar ankesën e KOSTT-it (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut) në rastin kundër KEDS-it (Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike).
Në vendimin e gjykates, nën kryesimin e gjyqtarit Faton Bajrami, vërtetoi aktvendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar anulimin e urdhrit përmbarimor të lëshuar nga përmbaruesi privat Arben Gashi, raporton Infosot.
KOSTT kishte pretenduar të përfitonte shumën prej 744,121.52 euro, plus kamatë ligjore prej 4.5% dhe shpenzime procedurale, përmes ekzekutimit të disa faturave që lidhen me vonesat në pagesat e KEDS-it. Por, gjykata konstatoi se këto fatura nuk përmbanin të gjitha elementet e nevojshme ligjore për t’u konsideruar dokumente përmbarimore, pasi mungonte objekti i saktë i detyrimit.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se faturat e lëshuara nga KOSTT nuk mund të shërbejnë si bazë juridike për përmbarim, pasi përmbanin vetëm llogaritjen e interesave të vonesave dhe jo detyrime të qarta e të plota në përputhje me Ligjin për Procedurën Përmbarimore.
Ky aktvendim konsiderohet si humbje për KOSTT-in, i cili tani nuk mund të realizojë përmes procedurës përmbarimore shumën e kërkuar ndaj KEDS-it, duke mbetur e hapur mundësia që palët të ndjekin një proces tjetër gjyqësor për të provuar pretendimet e tyre.

Vendimi i Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë është i formës së prerë për këtë fazë procedurale.
















