Në mbledhjen komemorative për veprimtarin dhe luftëtarin e lirisë Ilmi Ramadani, Ahmet Isufi, ish-komandant i UÇK-së dhe bashkëveprimtar i tij, mbajti një fjalim emocional.
“Sot nuk po i japim vetëm lamtumirën e fundit Ilmi Ramadanit, por po e përcjellim një njeri që ishte hallkë e fortë e zinxhirit të sakrificës kombëtare,” u shpreh Isufi.
Ai e përshkroi Ilmiun si të thjeshtë në dukje, por të palëkundur në bindje dhe përkushtim. “Kur hyje në rrezik me Ilmiun, e dije se në fund të asaj rruge fshihej fitorja,” tha ai me emocion.
Duke theksuar se figura e Ilmiut do të jetojë përtej kohës, Isufi përfundoi me një thirrje: “Le ta kthejmë dhimbjen në forcë dhe kujtimin në frymëzim. Lavdi jetës dhe veprës së Ilmi Ramadanit!”.
Postimi i plotë:
Fjala ime e plotë në Mbledhjen Komemorative për veprimtarin dhe luftëtarin e lirisë, Ilmi Ramadani.
E nderuara familje Ramadani,
Familje të Dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së,
Veprimtarë e ish të burgosur politikë,
Përfaqësues politikë e institucionalë të nivelit qendror e lokal,
Të nderuar të pranishëm,
Sot nuk po i japim vetëm lamtumirën e fundit Ilmi Ramadanit, por po e përcjellim një njeri që, me jetën e tij, u bë pjesë e një vargu të gjatë historie, një hallkë e fortë e zinxhirit të sakrificës kombëtare.
Që në fëmijëri, kur dëgjoja emrin e tij bashkë me të Rexhep Malës, më dukej sikur po njihja personazhe të një epoke të madhe historike. Më vonë, kur e takova dhe bashkëpunova me të, e kuptova se nuk ishin mite as legjenda, por ishin njerëz të gjallë, që jetonin me një ideal aq të fortë, sa populli do t’i kujtojë përgjithmonë.
Historia na mëson se popujt jetojnë nëpërmjet figurave që sakrifikojnë. Njeriu i vërtetë është ai që e tejkalon veten për t’u bërë shembull për të tjerët.
Ilmiu ishte pikërisht ky njeri: i thjeshtë në dukje, por i zëshëm në bindje; i heshtur në fjalë, por i përkushtuar në punë; i palëkundur në të mirë e në të keq.
Në bashkëpunim me të, gjithnjë mbizotëronte një besim i veçantë. Besim që nuk lind nga rastësia, por nga përvoja, nga qëndrueshmëria dhe nga ndershmëria. Kur hyje në rrezik me Ilmiun, ishe i sigurt se nuk ishte rrezik i kotë, sepse në fund të asaj rruge fshihej fitorja.
Edhe pas lufte, lidhjen na mbajtën Rexha e Nuhiu, sepse pavarësisht angazhimeve të ndara, shoqërinë e kishim pashkëputshëm, falë edhe familjeve Zeka, Mala e Berisha.
E nderuara familje,
të nderuar të pranishëm,
Ilmiu sot ndahet fizikisht nga ne, por në të vërtetë ai nuk largohet kurrë. Ai bëhet pjesë e historisë, aty ku nuk sundon koha, aty ku brezat e ardhshëm do ta lexojnë si simbol të lirisë.
Prandaj, le ta kthejmë dhembjen në forcë, pikëllimin në frymëzim, dhe kujtimin e tij në rrëfim për të tjerët që do të vijnë pas nesh.
Lavdi jetës dhe veprës së Ilmi Ramadanit!



















