Për 12 muaj 12.9 milionë euro do të shpenzohen për derivate nga institucionet qendrore dhe lokale

E publikuar: 16/06/2025 17:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka nënshkruar një sërë kontratash për furnizim me karburante për nevojat e institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal, me një vlerë të përgjithshme që kalon 12.9 milionë euro. Kontratat janë rezultat i një procesi të hapur prokurimi dhe janë shpërndarë në disa lote, varësisht nga destinacioni i shërbimit dhe institucioni përkatës, raporton Infosot.

Procesi i prokurimit, me numër reference UA/2016-25-1569-1-1-1, është iniciuar më 13 mars 2025, ndërsa kontratat janë nënshkruar më 11 qershor 2025.

Policia e Kosovës do të furnizohet me karburante nga HIB Petrol që ka fituar kontratën në vlerë prej 4.7 milionë eurove dhe për këtë llot janë pranuar 7 oferta, por vetëm 1 ka rezultuar e përgjegjshme, sipas dosjes së tenderit.

Ndërsa institucionet qendrore do t’i furnizojë me derivate Petrol Company që kontrata peshon 2.5 milionë euro. Edhe për këtë llot janë pranuar 7 oferta, por vetëm 1 ka rezultuar e përgjegjshme.

Loti 3, furnizimi i Ministrisë së Mbrotjejes dhe FSK-së me derivate do të bëhet nga HIB Petrol që kontrata kap vlerën e 1.9 milionë eurove.

Lotin 7 e ka fituar sërish Petrol Company, që sipas dojes, do t’i furnizojë me derivate institucionet e nivelit lokal të rajonit të Pejës dhe Gjakovës. Ky lot ka vlerën e 1 milion e 394 mijë euro.

Ndërsa lotin 8 për t’i furnizuar me derivate rajonin e Ferizajit dhe Gjilanit e ka fituar sërish Hib Petrol në vlerë prej 1 milion e 618 mijë euro. Bëhet fjalë për institucionet lokale të këtyre dy komunave të Kosovës.

Ndërsa për rajonin e Mitrovicës loti 9 është fituar nga Petrol Company në vlerë prej 733 mijë euro, që nga 7 oferta, sipas dosjes, 2 kanë rezultuar të përgjegjshme.

Totali i kontratave të fituara nga Hib Petrol dhe Petrol Company është 12 milionë e 911 mijë euro që janë nënshkruar nga këty dy operatorë për t’i furnizuar me derivate institucionet lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi ka qenë 15 milionë e 970 mijë euro, por kompanitë kanë ofertuar dhe fituar më 12.9 milionë euro.

Kontratat janë financuar nga buxheti i Kosovës dhe do të kenë kohëzgjatje njëvjeçare, duke mbuluar nevojat operacionale të institucioneve shtetërore për lëvizje dhe logjistikë.

Kjo është njëra nga kontratat më të mëdha në vlerë financiare që është nënshkruar për furnizim me derivate për institucione qendrore dhe lokale, që procedurat e prokurimit i ka udhëhequr Agjencia Qendrore e Prokurimit./Infosot/

AQP kontrata per derivate (1) (1)