Costa: Shpresoj që të largohen masat ndaj Kosovës, është kohë për të ecur përpara

E publikuar: 14/05/2025 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë një konference për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur nga gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, lidhur me mundësinë e largimit të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Costa tha se masat janë të lidhura me nevojën për de-përshkallëzim të tensioneve në rajon, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe se shpreson që situata të stabilizohet për të mundësuar heqjen e tyre.

“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dhe ajo që dëshiroj është që sa më shpejt të kemi këtë de-përshkallëzim, e më pas të mund të ecim përpara dhe t’i heqim këto masa. Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni plotësisht të angazhuar në këtë rrugë evropiane për të de-përshkallëzuar dhe, siç tha Zonja Presidente dje, për t’u angazhuar në këtë dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi Costa.

Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës është e lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me përkushtimin ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane”, ka thënë ai.

Costa e quajti zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor si “investimin më të madh gjeopolitik” të Bashkimit Evropian.

“Është një mundësi e madhe për Ballkanin Perëndimor dhe është thelbësore që të vazhdohet me agjendën e reformave dhe të përfitohen benefitet e saj. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Costa.

Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj, theksoi se Kosova i ka përmbushur kërkesat e BE-së që lidhen me vendosjen e masave, përfshirë kthimin në dialog dhe organizimin e zgjedhjeve në veri.

“Kur janë vendosur këto masa, rikthimi në dialog dhe zgjedhjet e parakohshme në veri kanë ndodhur. Pra, këto janë plotësuar nga Kosova, dhe në vitin e kaluar Borrell ka kërkuar që masat të largohen, pasi Kosova i ka përmbushur kërkesat”, u shpreh Osmani.

Vizita e Costas në Kosovë është pjesë e një turi rajonal për të riafirmuar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor.