Avokati Hodaj kritikon mungesën e transparencës në Gjykatën Speciale

E publikuar: 13/05/2025 18:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Taulant hodaj

Taulant hodaj

Vizita e Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trëndafilova, ka ndezur sërish debatet për rolin dhe transparencën e Gjykatës Speciale. Avokati Taulant Hodaj, i akredituar pranë kësaj gjykate në Hagë, paralajmëron se mungesa e transparencës po dëmton drejtësinë dhe mund të ndikojë negativisht edhe në kërkesat për lirimin nga paraburgimi të krerëve të UÇK-së.

Avokati tha se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trëndafilova, është vizitë e zakonshme që ajo i bën në Kosovë dhe institucioneve dhe në vendet tjera, me qëllim të njoftimit të aktorëve që janë të prekur nga Gjykata Speciale, qofshin këto autoritetet e Kosovës, ambasadat, shoqëria civile, gazetarët, etj.

Hodaj në “InfoPlus” në RTK theksoi se është shqetësuese mungesa e transparencës së Gjykatës Speciale, sepse, sipas tij, është e vetmja Gjykatë Penale Ndërkombëtare ku transparenca është e limituar, ku qasja e publikut ka qenë shumë e kufizuar. “Kjo nuk i shërben drejtësisë”, tha ai.

Hodaj më tej vuri në dukje se qëllimi i vizitës ka të bëjë me informimin në detaje rreth punës së Gjykatës dhe me rregullimin e perceptimit të saj karshi publikut dhe aktorëve që janë pranë kësaj gjykate.

“Vizitat e zonjës Trëndafilova, jo vetëm në vitin 2023, ajo ka qenë edhe më herët dhe më shpesh. Kurse Organizata e Veteranëve të Luftës, si një organizatë që përfaqëson veteranët e luftës, ka të drejtën legjitime që të shprehë pakënaqësinë mbi Gjykatën, Prokurorinë, në lidhje me gjithë procesin, përmes formave demokratike”, tha Hodaj, teksa shtoi se kjo, në aspektin procedural, mund të ndikojë negativisht për krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët kanë aplikuar për lirim nga paraburgimi, ngase këtë mund ta shfrytëzojë Prokuroria si pretekst për moslirimin e tyre./RTK