Si të aplikoni për fondet e BE-së?

E publikuar: 03/05/2015 14:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mendoni të aplikoni për financim nga Bashkimi Europian? Zbuloni “Udhërrëfyesin mbi financimet e BE-së”, në të cilin kompanitë e vogla, shoqatat joqeveritare, të rinjtë, kërkuesit, fermerët, organet publike dhe kategori të tjera do të gjejnë informacione të dobishme dhe këshilla se si të përgatisin një aplikim për financimet nga BE-ja

Financimet e BE-së që synojnë dhënien e ndihmës në vendet në nevojë, vijnë nga dy burime: Fondi Europian i Zhvillimit (EDF) dhe buxheti i BE-së. Me një financim prej 82 miliardë eurosh për periudhën 2014-2020, institucionet europiane së bashku me vendet anëtare të BE-së, dhanë më shumë se gjysmën e ndihmës zyrtare në shkallë globale.

Ky përbën një prezantim fillestar për mundësitë e mëdha që ofrohen për të përfituar nga financimet e BE-së. Ai ofron udhëzimet bazë mbi procedurat e aplikimit dhe tregon se ku mund të gjeni detaje të mëtejshme. Ky udhëzues përmban informacionet më të fundit mbi programet aktuale të BE-së për periudhën 2014-2020.

Ky udhëzues shënjestron gjashtë kategoritë kryesore të aplikantëve të mundshëm: ndërmarrjet e vogla e të mesme (SME), organizatat joqeveritare, të rinjtë, kërkuesit shkencorë, fermerët dhe institucionet publike. Megjithatë, ajo mund të shërbejë si një burim i vlefshëm informacioni dhe për aplikantët nga fusha të tjera.

Llojet kryesore të financimeve

Grantet e dhëna për zbatimin e projekteve specifike, që zakonisht vijnë pas një njoftimi publik i njohur si propozim (“call for proposals”), janë një financim i drejtpërdrejtë që iu jepet organizatave ose projekteve të ndërmarra nga ato.

Granti shërben për një qëllim të caktuar, i cili përshkruhet në detaje në propozim. Në shumë vende, kontributi i BE-së përmban kushte kundrejt përfituesit, në mënyrë që ky i fundit të jetë bashkëfinancues

Kontratat publike, të cilat jepen nëpërmjet procedurave të tenderimit (prokurimit publik). Ato mbulojnë një sërë fushash që kryesisht kontribuojnë për zhvillimin ku përfshihen studimet, ndihma teknike dhe trajnimet, konsulenca, organizimi i konferencave, pajisjet IT si dhe shumë të tjera. Qëllimi i kontratave është blerja e shërbimeve, të mirave/mallrave apo punimeve për të garantuar funksionimin e programeve apo institucioneve të BE-së.

Procedura e prokurimit për çdo kategori kontratë është e ndryshme. Brenda çdo kategorie, procedura gjithashtu varion në bazë të vlerës së kontratës. Rregullimet e procedurat e kontratës gjithashtu varen nga burimi i financimit (buxheti i BE-së ose Fondi Europian i Zhvillimit) si dhe nga viti.

Rregullat për përfitimin e fondeve

Huat, garancitë dhe çmimet janë ndërmjet llojeve të tjera të mundshme të financimeve. Për marrjen e vendimeve për dhënien e granteve apo kontratave, ndiqen rregulla strikte që garantojnë se të gjithë përfituesit e mundshëm trajtohen në mënyrë të barabartë dhe transparentë.

Përfituesit e granteve dhe kontratorët duhet t’iu përmbahen e të veprojnë në përputhje me rregulla të qarta financiare, të cilat i japin mundësi Komisionit Europian dhe autoriteteve të tjera audituese, të kontrollojnë përdorimin e financimeve të BE-së.

Para se të aplikoni për financime të BE-së, duhet të identifikoni programin dhe organin që administron atë. Departamentet e Komisionit Europian, agjencitë, si dhe autoritetet administruese rajonale apo kombëtare publikojnë rregullisht informacion mbi mundësitë e financimit që ofrojnë.

Dy janë format e administrimit të financimeve të BE-së: administrimi i drejtpërdrejtë dhe administrimi i përbashkët.

Administrimi i drejtpërdrejtë do të thotë që një fond apo program të administrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Komisioni Europian apo delegacionet e BE-së ashtu dhe nga ndonjë nga agjencitë e tij. Administrimi përfshin përzgjedhjen e kontraktorëve, dhënien e granteve, transferimin e fondeve, monitorimin e veprimtarive, etj.

Administrimi i përbashkët do të thotë që administrimi i financimeve apo programeve të BE-së u delegohet Vendeve Anëtare të BE-së. Pjesa më e madhe e projekteve të financuara nga BE-ja, e që përbëjnë rreth 80% të buxhetit të BE-së, janë nën administrimin e përbashkët. Kjo procedurë zbatohet për programet e përbashkëta operacionale për bashkëpunimin ndërkufitar të zbatuar nga një autoritet i përbashkët (p.sh. IPA II, ENI, Ndihma e paraanëtarësimit)

Administrimi i tërthortë/jo i drejtpërdrejtë: nën administrimin jo të drejtpërdrejtë, Komisioni Europian ia beson detyrën e implementimit të financimit: (i) vendeve partnere (apo institucioneve të përcaktuara nga to), (ii) organizatave ndërkombëtare, (iii) agjencive të zhvillimit të Vendeve Anëtare të BE-së dhe (iv) institucioneve të tjera.

Çdo vend i BE-së, në bashkëpunim me Komisionin, vendos për një apo më shumë programe operacionale për të përcaktuar prioritetet e tij të financimit.

Çdo thirrje për tender apo për paraqitje propozimesh përcakton kushtet për pjesëmarrje që duhet të plotësojnë aplikantët. Autoritetet drejtuese vlerësojnë propozimet për projekte të paraqitura dhe vendosin nëse duhet dhënë financimi.

Grantet për financimet direkte janë të disponueshme nga Komisioni Europian apo agjencitë e tjera ekzekutive për projekte me objektiva specifike (mjedisi, kërkimi, trajnimi, etj.). Këshillohet që për tenderët dhe grantet të menaxhuara në mënyrë qendrore nga departamentet dhe agjencitë e Komisionit, këshillohet të vizitohet websitë i Komisionit Europian

(http://ec.europa.eu/budget/funding/information/how-apply_en ) .

Po kush i administron paratë?

Komisioni Europian ka përgjegjësinë politike për të siguruar që të gjitha paratë nga buxheti i BE-së janë shpenzuar në mënyrë të drejtë e korrekte. Megjithatë, qeveritë kombëtare janë përgjegjëse për të kryer kontrolle dhe audite vjetore, duke qenë se rreth 80% e financimeve të BE-së administrohet në nivel kombëtar. Gjithashtu, vendet joanëtare të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare janë përgjegjëse për administrimin e një pjese të vogël të buxhetit të BE-së, i cili akordohet për programet e zbatuara p.sh., nga Kryqi i Kuq dhe Kombet e Bashkuara.

Organizatat që kërkojnë grante apo kontrata të BE-së kanë nevojë të kontrollojnë paraprakisht me kujdes se në cilat duhet të paraqesin kërkesat apo propozimet e tyre.

Komisioni Europian administron buxhetin nëpërmjet departamenteve të tij të përgjithshme dhe agjencive drejtuese. Vendet e BE-së ia kalojnë menaxhimin e financimeve të BE-së, kryesisht autoriteteve drejtuese si ministrive apo organizmave të tjerë publike. Këto institucione janë përgjegjëse për organizimin e thirrjeve për paraqitje propozimesh apo procedurave për tender.

Komisioni ka publikuar Buxhetin e BE-së sipas një serie me 28 fakte që evidentojnë disa nga projektet e financuara nga buxheti i BE-së në të gjitha vendet e BE-së. Projektet shtrihen në një sërë fushash, duke filluar që nga punësimi, zhvillimi rajonal, kërkimi dhe edukimi e deri te mjedisi, ndihma humanitare si dhe shumë të tjera. Projektet mund të nxisin kandidatët potencialë, të cilët mund të gjejnë më shumë mbi vlerat e shtuara që BE-ja ka sjellë në projekte.

Fondet e disponueshme

Grantet direkte nga Komisioni Europian ose agjencitë e tij zbatuese për projekte specifike si ambienti, kërkimet, trajnimet. Fondet indirekte nga qeveritë e vendeve anëtare të BE dhe autoritetet lokale

Çfarë kushtesh duhet të plotësohen?

Grantet që jepen direkt nga BE:

-Shërbejnë si financues komplementarë, BE nuk financon 100% të projekteve

-Ndihmojnë projekte efektive nga ana financiare dhe nuk duhet të rezultojnë në përfitime për dhënësin e grantit

-Nuk mund të financohen projekte të kompletuara

-Janë akorduar një grant për projekt

Kush mund të përfitojë?

-Biznesi ose organizata të lidhura (shoqata biznesi, ofrues të mbështetjes për biznesin, konsulentë etj.) të cilët zhvillojnë projekte që janë në interes të kontributit për financim nga BE dhe zbatimin e programeve të BE-së.

-Projektet duhet të kenë një karakter rajonal (me më shumë vende) dhe duhet të kenë vlerë të shtuar. Kriteret e detajuara janë specifikuar në ftesën për propozim.

Si të aplikoni?

Thirrjet për propozime janë përgjithësisht të publikuara në faqen e internetit të Komisionit Europian, drejtoria e përgjithshme për agjencitë ekzekutuese. Gjithashtu ato mund të publikohen edhe në revistën zyrtare të BE-së, seritë C.