Isufi: “Pranimi i flamurit të ri ishte sfidë emocionale për Kosovën, flamuri kombëtar mbetet simbol i pavdekshëm”

E publikuar: 17/02/2025 21:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ahmet Isufi, njëri ndër personalitetet që mori pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, në 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në një intervistë për Albanian Post, tregon se ishte krijuar një komision parlamentar për çështjen e flamurit, për shkak të lidhjes së ngushtë që shqiptarët kanë me flamurin kuq e zi. Megjithatë, ky propozim nuk u pranua nga ndërkombëtarët, ata kërkuan që flamuri të pasqyronte edhe komunitetet e ndryshme në vend.

Për shqiptarët, flamuri kuq e zi ka qenë gjithmonë simbol i përpjekjeve dhe sakrificave për liri. Prandaj, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, pranimi i simboleve shtetërore – përfshirë flamurin – ishte një proces kompleks dhe emocional.

Ahmet Isufi, një nga personalitetet që mori pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-komandant i Zonës së Karadakut gjatë luftës çlirimtare, në një intervistë për Albanian Post flet për simbolikën e shtetit të Kosovës.

“Ashtu si për shumë shqiptarë, edhe për mua flamuri kuq e zi ka qenë simbol i përpjekjeve dhe sakrificave për liri, ndaj pranimi i një flamuri të ri ishte një çështje emocionale dhe e ndjeshme”.

Isufi përmend përpjekjet për një flamur të ngjashëm me atë të Shqipërisë, por që u kundërshtuan nga ndërkombëtarët.

“Ishte krijuar një komision parlamentar për këtë çështje, por propozimi nuk u pranua nga ndërkombëtarët, të cilët kërkonin që flamuri të pasqyronte praninë e komuniteteve të ndryshme në vend. Për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit, u arrit një pajtim që në flamur të përfshiheshin harta e Kosovës dhe yjet, që simbolizojnë pakicat. Ky është flamuri që përfaqëson shtetin e Kosovës dhe duhet respektuar, por flamuri kombëtar mbetet përherë simbol i ndjenjës dhe identitetit kombëtar shqiptar”, thotë Isufi për Albanian Post.

Sipas tij, në këtë ditë është jashtëzakonisht e rëndësishme të punohet për ruajtjen e miqësisë me shtetet mike të Kosovës, të cilat kanë ndihmuar në shtetndërtimin e saj.

Nga këndvështrimi i Isufit, vetëm përmes avancimit të marrëdhënieve me aleatët mund të arrihet edhe njohja e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë njohur atë.

“Përmes ambasadave të përbashkëta mund të forcojmë lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës. Vizioni për të ardhmen përmbushet duke bashkëpunuar dhe duke krijuar lidhje më të afërta mes vete, si një komb në dy shtete. Duhet të ndjekim trendin e ndryshimeve në politikën ndërkombëtare dhe të ruajmë miqësinë me vendet që na ndihmuan në momentet vendimtare, sidomos me ShBA-të dhe shtetet tjera mike”.

Intervista e Ahmet Isufit për Albanian Post:

Si e shihni shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe çfarë kuptimi kanë për ju simbolet shtetërore?

Ahmet Isufi: Simbolet e Kosovës u krijuan me një kompromis me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast me ShBA-të dhe shtetet tjera mike që kontribuuan në lirinë e Kosovës. Flamuri dhe stema përmbajnë ngjyrat e Evropës, meqë edhe synim yni është integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Si e vlerësoni momentin historik të nënshkrimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës?

Ahmet Isufi: Ishte një moment shumë emocional dhe i papërshkrueshëm, sepse po realizohej dëshira e popullit tonë. Për këtë akt kishim dhënë kontribut të madh së bashku me bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët, veçanërisht duke kujtuar sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që u flijuan për liri.

Për mua, ishte një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime, sepse po më plotësohej ëndrra për tërë angazhimin dhe sakrificën e gjeneratës sime.

Flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë

Në çfarë mase flamuri i Kosovës ka ndikuar në forcimin e identitetit shtetëror te qytetarët?

Ahmet Isufi: Nga aspekti shpirtëror, ne gjithmonë kemi vepruar dhe luftuar me flamurin kombëtar, prandaj edhe kërkesa jonë ishte që ngjyrat kuq e zi të përfshiheshin në flamurin e Kosovës. Ishte krijuar një komision parlamentar për këtë çështje, por propozimi nuk u pranua nga ndërkombëtarët, pasi ata theksonin prezencën e minoriteteve të tjera në vend.

Për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit, u arrit një pajtim që në flamur të përfshiheshin harta e Kosovës dhe yjet, që simbolizojnë pakicat. Ky është flamuri që përfaqëson shtetin e Kosovës dhe duhet respektuar, por flamuri kombëtar mbetet përherë simbol i ndjenjës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Si ka evoluar identiteti shtetëror i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe sa ka ndikuar në unitetin kombëtar?

Ahmet Isufi: Identiteti shtetëror është forcuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa zhvillimi i Kosovës dhe Shqipërisë po përafron gjithnjë e më shumë interesat tona. Kjo duhet të na shërbejë edhe në rrugën e integrimit kombëtar dhe ndërkombëtar, sepse të dyja synojmë anëtarësimin në familjen evropiane.

Cili mendoni se është hapi i radhës për ta bërë Kosovën më të njohur përmes simboleve të saj shtetërore?

Ahmet Isufi: Komunikimi i mirëfilltë ndërshqiptar krijon unitet në diplomaci dhe harmonizimin e politikës së jashtme. Përmes ambasadave të përbashkëta mund të forcojmë lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës. Vizioni për të ardhmen përmbushet duke bashkëpunuar dhe duke krijuar lidhje më të afërta mes vete, si një komb në dy shtete. Duhet të ndjekim trendin e ndryshimeve në politikën ndërkombëtare dhe të ruajmë miqësinë me vendet që na ndihmuan në momentet vendimtare, sidomos me ShBA-të dhe shtetet tjera mike.