Lulëzim Blakaj, ka shprehur mbështetje të fuqishme për Ahmet Isufin, kandidatin për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Në një postim të tij, Blakaj ka theksuar se historia e Ahmet Isufit është një histori përkushtimi të palëkundur ndaj Kosovës dhe lirisë.
“Që në moshën 17-vjeçare, Ahmeti u bë pjesë e organizimeve për çlirim dhe u vu nën pranga nga regjimi jugosllav, duke kaluar një periudhë të vështirë 6-vjeçare burgimi. Kjo vuajtje vetëm sa e forcoi vendosmërinë e tij për një Kosovë të lirë”, shkruan Blakaj.
Pas daljes nga burgu, Ahmeti me shokët e tij themeloi celulat e UÇK-së në rajonet e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe Novobërdës, duke luajtur një rol kyç në udhëheqjen e Zonës Operative të Karadakut gjatë periudhës së luftës, e deri në fitoren përfundimtare të Kosovës.
Postimi i plotë:
Historia e Ahmet Isufit është histori përkushtimi ndaj vendit. Që në moshën 17-vjeçare u bë pjesë e organizimeve për çlirim. Burgu 6 vjeçar nga viti 1983 kur u vu nën pranga nga regjimi jugosllav, vetëm sa e forcoi vendosmërinë e tij.
Ahmeti me shokë, themelon celulat e UÇK-së në Gjilan, Kamenicë, Viti dhe Novobërdë, dhe më pas me trimëri udhëheq Zonën Operative të Karadakut, deri në fitoren përfundimtare. Në periudhën e çlirimit, si shef i G1 në SHP të TMK-së, kontribuoi në ndërtimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Bashkë me Ramush Haradinajn e atdhetarë të tjerë, themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke shërbyer si Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në dy mandate, deri në ditën kur Haradinaj do të paraqitej para Gjykatës në Hagë.
Për shtatë vjet të fundit kam pasur nderin të punoj ngushtë me Ahmet Isufin në deryra të ndryshme në ZKM dhe parti. E njoh si njeri të përkushtuar, të drejtpërdrejtë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Në çdo takim, mbledhje apo aktivitet partiak, ai shquhet për urtësinë, përvojën dhe këshillat që ndan me brezin e ri të politikanëve. Është një mik i çmuar dhe mentor për shumë prej nesh, duke kombinuar ekspertizën politike me një zemër të madhe dhe karakter të fortë.
Si nënkryetar i AAK-së dhe deputet në tri legjislatura, Ahmet Isufi ka drejtuar me kompetencë Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së. Udhëheqja e Grupit Parlamentar të AAK-së ka dëshmuar për aftësitë e tij në organizim dhe politikëbërje.
Vota për numrin 40 në listën e Kosovës Fituese – 137; është votë për një intelektual që diplomoi në Fakultetin Filologjik, politikan me integritet të plotë moral, dhe burrë shteti me vizion të qartë për të ardhmen. Përvoja e tij e gjatë në shërbim të Atdheut është garanci për një përfaqësim dinjitoz të interesave të qytetarëve të Kosovës në legjislativin e ardhshëm.