Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka kujtuar me respekt dhe mirënjohje të thellë sakrificat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një mesazh përkujtimor, ai thekson rëndësinë e tyre si simbol i lirisë dhe patriotizmit në historinë moderne të vendit.
“Veteranët e UÇK-së mbeten gurthemeli i historisë sonë moderne, duke përfaqësuar një frymë të lartë patriotike që vazhdon të inspirojë brezat e rinj,” ka thënë Isufi, duke theksuar se amaneti i tyre për liri dhe drejtësi duhet të mbetet i gjallë.
Në këtë ditë përkujtimore, qytetarët, institucionet dhe familjarët i kujtojnë me krenari sakrificat e tyre. “Le të përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë tonë. Kujtimi për ta na udhëheq drejt një të ardhmeje të ndritur, me unitet dhe krenari kombëtare,” ka shtuar ai.
Mesazhi i Isufit përfundon me thirrjen për respekt të përjetshëm ndaj të gjithë dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së: “Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe respekt i përjetshëm për të gjithë veteranët dhe invalidët e UÇK-së!”
Ky përkujtim vjen si një mesazh i fortë për brezat e rinj që të ruajnë dhe të mbrojnë vlerat e lirisë dhe të drejtësisë që u fituan me sakrifica të mëdha.



















