Altin Krasniqi, kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka ndarë një mesazh emocionues në rrjetin social Facebook, dedikuar babait të tij, Jakup Krasniqit, i cili po vazhdon qëndrimin në Hagë përballë një procesi të gjatë gjyqësor.
Në këtë postim, Altini ka përçuar krenarinë dhe dhimbjen për sakrificat që ka bërë babai i tij gjatë jetës, duke theksuar qëndresën dhe refuzimin e tij për t’iu nënshtruar padrejtësive.
“Shumë pranvera t’i vodhën qelitë. Njëherë në rini e tashti në pleqëri. Por s’ja shite dot shpirtin robërisë, prandaj sot rrin nën pranga”, ka shkruar Krasniqi në postimin e tij, duke emocionuar ndjekësit dhe mbështetësit e tij në këtë garë elektorale.
Ky mesazh ka ngjallur reagime të shumta në komentet e postimit, ku qytetarët kanë shprehur mbështetjen e tyre për Altinin dhe respektin për Jakup Krasniqin, duke e cilësuar atë një shembull të qëndresës dhe idealizmit.
Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe një ndër figurat kyç të lëvizjes për liri dhe pavarësi, po përballet me një proces të gjatë në Hagë, por vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe nga qytetarët dhe figura të njohura politike.