Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, kanë marrë pjesë në përurimin e Shërbimit të ri të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë. Shërbim ky i cili deri tani nuk është kryer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Derisa në klinikat private ky shërbim ka kosto të shtrenjtë, në QKUK ky shërbim do të jetë tërësisht falas dy herët e para. Ndërkaq herën e tretë çifti duhet të paguajë 670 euro.
Kryeministri Albin Kurti tha se reparti ku do të fillojë ky shërbim, ka një aparaturë moderne dhe se aty janë bërë rreth 2 milionë euro investime.
“Pata mundësinë të shihja aparaturën moderne, e cila është investimi i fundit, gjithsej është 2 milionë euro, gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë, gjysma prej SHSKUK-së. Vetëm aparatura e laboratorit të embriologjisë është mbi 1 milion euro. Gjithsej është rreth 2 milionë euro. Me këtë investim që kemi bërë në këtë repart do të jetë i mundur që dy herët e para çiftet që vijnë këtu ta kenë falas këtë shërbim cilësor modern . Por gjithashtu pas dy herave të para do të paguajnë 670 euro. Ndërkaq ne e dimë që në sektorin privat kjo është rreth 3 mijë euro”, ka thënë Kurti.