“Pastrimi” vizitohet nga Inspeksioni, pritet të hapë procedurë tenderimi për deponinë në oborr

E publikuar: 22/12/2024 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fushën kryesore të punës së vet e ka pastrimin e mbeturinave në kryeqytet.

Ani se këtë detyrë e ka kryer sa ishte e kontraktuar nga komuna, grumbullimin e tyre e ka bërë në pronën e vet.

Me muaj të tërë grumbullimi, tani në kryeqytet është formuar kjo deponi mbeturinash.

Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk e merrte përsipër këtë deponi ilegale të formuar nga vet “Pastrimi” e megjithatë, një vizitë ia ka bërë inspeksioni.

“Ua kemi bërë disa vizita sepse ka raste që janë krijuar deponi të tilla. Kemi zhvilluar procedura ndaj ndërmarrjes “Pastrimi” dhe në bazë të afateve ligjore do të kërkojmë që deponia të pastrohet”, ka deklaruar Florian Dushi, Drejtoria e Inspeksionit.

Dushi ka treguar se nuk i është treguar afati i përcaktuar nga inspektorët.

Herën e parë kur televizioni kishte raportuar për deponinë ilegale të “Pastrimit” në oborrin e vet, nga kompania patën thënë se mbeturinat nuk ua pranonte Deponia në Mirash e se nuk pati operator të interesuar.

E megjithatë, pas vizitës së inspeksionit, kompania “Pastrimi” do ta provojë këtë përsëri.

“Kompania “Pastrimi”, Sh.A, lidhur me këtë lokacion, për largimin e këtyre mbeturinave dy herë ka zhvilluar procedurë të prokurimit. Në të dyja rastet e procedurave të prokurimit, nuk ka pas operator me oferta të përgjegjshme, dhe në mungesë të ofertave të përgjegjshme është dashur të anulohet siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik. Shumë shpejt do të ritenderohet, dhe në momentin e nënshkrimit të kontratës do të bëhet largimi i këtyre mbeturinave”, ka deklaruar Arbnora Ademi, Zëdhënësja e kompanisë rajonale “Pastrimi”.

Neglizhenca e “Pastrimit” ishte arsyeja që sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, çoi te mosvazhdimi i bashkëpunimit.

Ndërkaq, pakënaqësi për kompaninë patën edhe punëtorët e saj të cilët vazhdimisht kanë protestuar para komunës duke kundërshtuar idenë e angazhimit të një operatori tjetër privat.