Liburn Aliu tregon pse mbeti jashtë listës së VV-së për deputet

E publikuar: 20/12/2024 09:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka publikuar javën e kaluar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ku bartës i listës është Albin Kurti.

Por, në këtë listë ani pse ka emra të vjetër e të rinj, aty nuk ka figuruar emri i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut.

Liburn Aliu deri më tani nuk ishte deklaruar për mospërfshirjen e në listë. Ministri Aliu për këtë çështje është deklaruar sot në përurimin e një segmenti të rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Stanovc – hyrja e Vushtrrisë.

Aliu tha se ka qenë zgjedhje e tij të mos jetë në listë për deputet.

“Vendim i imi ka qenë, nuk është se është marr tash së voni”, ka thënë Aliu para gazetarëve.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 9 shkurt 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se për certifikim në zgjedhje kanë aplikuar 28 subjekte politike. Sipas KQZ-së prej tyre janë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.