Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka theksuar se shqiptarët janë shtetformues në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të të drejtave kombëtare dhe barazisë ndëretnike.
“Maqedonia e Veriut nuk do të shkojë askund dhe shqiptarët nuk do ta marrin ta çojnë diku tjetër, sepse janë shtetformues në këtë vend, me gjuhë shqipe e flamur kombëtar,” u shpreh ai.
Ai ka vlerësuar se respektimi i të drejtave kombëtare dhe barazia ndëretnike janë shtylla kryesore të stabilitetit dhe të ardhmes së Maqedonisë së Veriut.
Duke iu referuar Tetovës, kryetari i BDI-së theksoi se qyteti ka dëshmuar vendosmërinë e tij në mbrojtjen e legjitimitetit, barazisë, integrimit europian dhe dinjitetit kombëtar. “Tetova ka dëshmuar edhe në të kaluarën, sikurse sonte, se janë të vendosur kur bëhet fjalë për të mbrojtur këto vlera,” shtoi ai.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur temat e integrimit europian dhe barazisë ndëretnike vazhdojnë të jenë në qendër të diskursit politik në Maqedoninë e Veriut.