Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se me një qeveri të udhëhequr nga partia e tij, masat sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës do të hiqen brenda pak muajsh.
Ai tha se ka lobuar personalisht për këtë çështje, duke zhvilluar takime me tashmë ish-komisionerin për zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi.
Krasniqi u zotua në Dukagjini, se PDK-ja do të luajë rol kyç në këtë proces.
”Unë sot iu them me bindje të plotë dhe iu zotohem: me një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja, për disa muaj do t’i heqim masat sanksionuese. Unë personalisht kam lobuar që nga momenti kur ato janë vendosur.”
”Nëse (ish-komisionari për Zgjerim i BE-së) Várhelyi, ka qenë një nga personat kryesorë që ka shtyrë përpara këto masa. As Kurti, as Gërvalla, as Bislimi dhe asnjë zyrtar tjetër i Qeverisë nuk e ka takuar për t’i kërkuar heqjen e masave. Vetëm unë e kam takuar. Nuk ishte përgjegjësi e imja, pasi unë jam në opozitë.”
”Por unë e kam marrë këtë iniciativë, kam shkuar në takim dhe kam qëndruar një orë në zyrën e tij. I kam thënë se duhet të ndihmojë për heqjen e masave, sepse ato janë një gabim, dhe unë jam i bindur për këtë.”
”Besoj se me përbërjen e re të Komisionit Evropian dhe me ndryshimet në Këshill, PDK-ja do të luajë rolin kryesor në heqjen e masave sanksionuese të BE-së.”