Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i indinjuar me gjuhën fyese dhe të papranueshme të profesorit të shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, kundër komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Në komunikatën e AGK-së thuhet se në dy paraqitje mediale në ditët e fundit, Spahiu ka përdorur fjalor ofendues dhe diskriminues në raport me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në vendin tonë.
AGK-ja e fton zotin Spahiu të kërkojë falje publike për fjalorin, dhe nga mediat që të punojnë për të mos lejuar hapësirë të një gjuhe që cenon integritetin e qytetarëve të Kosovës të këtij komuniteti.
AGK-ja gjithashtu kërkon nga KPM-ja dhe KMSHK-ja të monitorjnë gjuhën e urrejtes ndaj komuniteteve në media.
Nëpërmjet disa bashkëpunimeve dhe aktiviteteve, AGK-ja angazhohet vazhdimisht për përfshirjen e të tri komuniteteve, rom, ashkali dhe egjiptian në jetën publike të Kosovës dhe kundër përdorimit të gjuhës fyese dhe përjashtuese ndaj tyre.