Si arriti Assad të largohej në Rusi pa u vënë re, Reuters zbulon planin e tij

E publikuar: 14/12/2024 00:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia “Reuters” ka zbardhur detaje mbi mënyrën se si presidenti sirian Bashar al-Assad arriti të largohej nga Damasku për në Rusi, duke siguruar azil politik për veten dhe familjen e tij.

Sipas raportimit, pak orë para largimit, Assad zhvilloi një takim urgjent me rreth 30 zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai i siguroi ata se mbështetja ushtarake ruse ishte duke ardhur dhe u bëri thirrje forcave tokësore të qëndronin të forta. Më pas, ai njoftoi stafin e tij se po kthehej në rezidencë, por në vend të kësaj u nis drejt aeroportit.

Raportohet se as vëllai i tij, Maher al-Assad, komandant i Divizionit të 4-të të ushtrisë siriane, nuk ishte në dijeni të këtij plani. Pas largimit të Basharit, Maher u detyrua të fluturonte në Irak me helikopter përpara se të arrinte edhe ai në Rusi.

Familja e ngushtë e Assadit, bashkëshortja Asma dhe tre fëmijët, e priste tashmë në Moskë. Ndërkohë, disa nga të afërmit e tij qëndruan në Damask dhe u përpoqën të arratiseshin drejt Libanit, por ranë në pritën e rebelëve.

Vetë Bashar al-Assad u largua nga Damasku më 8 dhjetor, duke fluturuar nën radar me një avion që kishte fikur transponderin. Largimi i tij dramatik shënoi fundin e një regjimi 24-vjeçar dhe përmbysjen e pushtetit gjysmë shekullor të familjes së tij.

Skenat e transmetuara nga shtëpia e braktisur e Assadit tregojnë një largim të nxituar, ku janë lënë pas ushqime të gatuara, sende personale dhe albume familjare. Rebelët dhe civilët që pushtuan rezidencën dokumentuan gjithçka, duke shënuar një epilog të papritur për një nga sunduesit më të gjatë të Lindjes së Mesme.