Mblidhet qeveria kalimtare në Siri, Bashir mesazh Perëndimit: Ne nuk jemi si ISIS

E publikuar: 10/12/2024 21:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i ri i Sirisë, Mohamed al Bashir, i cili do të drejtojë vendin përkohësisht deri në 1 mars të 2025, ka folur për mediat pak orë pasi ju besua detyra e rëndësishme për të nisur rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta civile që zgjati 14 vite.

Inxhinieri mekanik nga Idlibi ka pranuar të jetë ai njeriu me të cilin rebelët do të përpiqen të realizojnë dy qëllimet e tyre të para: nga njëra anë, t’i tregojnë Perëndimit se ata vetë nuk kanë ndërmend të krijojnë një ISIS të ri islamik dhe tjetra, për të dërguar një mesazh të qartë për miliona sirianë që të kthehen në vendlindje.

Të dyja këto përpjekje do të jenë jashtëzakonisht të vështira, por nëse dikush mund të japë rezultate, në Siri të gjithë besojnë se ai është Bashir.

Kryeministri i sapoemëruar ka njoftuar pak orë më parë se është takuar me anëtarët e qeverisë kalimtare.

“Ne ftuam anëtarë nga qeveria e vjetër dhe disa drejtorë nga administrata në Idlib dhe zonat përreth me qëllim që të lehtësojmë të gjitha punët e nevojshme për dy muajt e ardhshëm derisa të kemi një sistem kushtetues për të qenë në gjendje t’i shërbejmë popullit sirian”, tha al-Bashir për Al Jazeera.

“Sot, ne patëm takime të tjera për të ngritur institucionet që të mund t’i shërbejmë popullit tonë në Siri”, shtoi ai duke përçuar edhe një mesazh për Perëndimin, kur tha se rebelët që rrëzuan regjimin nuk janë si ISIS.

Bashir me një punë mjaft të rëndësishme për Hayat Tahrir al-Sham në zonën kyçe të Idlibit ka një rezyme mjaft serioze, duke pasur parasysh kushtet dhe zonën në të cilën është rritur. Bashir ka qenë, sipas burimeve ruse dhe amerikane, prej disa vitesh personi që bisedonte me të dyja palët dhe që nga viti 2020 personi që ka pasur akses të drejtpërdrejtë në zemrën e rebelëve.

Për Perëndimin, është e qartë se Bashir, përveçse një kryeministër në tranzicion, nuk mund të vazhdojë ta mbajë këtë post për një kohë të gjatë, por shprehja se “asgjë nuk është e përhershme” nuk gjen zbatim absolut si në Lindjen e Mesme në përgjithësi ashtu edhe në Siri në veçanti.

Për Bashir nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje publike dhe të hapur as nga Rusia dhe SHBA-ja dhe as nga Britania e Madhe, Franca, Izraeli dhe Turqia. Ai duket se është zgjedhja që joformalisht gëzon miratimin përkatës. Bashir mund të ketë deklaruar se do të udhëheqë vendin deri në mars dhe se do të hartojë Kushtetutën e re, por është e sigurt se roli i tij është thelbësor për të nesërmen në të gjithë rajonin.

Çështjet e ndezura për Sirinë lidhen kryesisht me krizën humanitare dhe amnistinë, por nuk ka gjasa që kjo të arrihet brenda pak muajsh. Nga ana tjetër, Bashir, me kontaktet që ka pasur vitet e fundit si me SHBA-në, ashtu edhe me Rusinë, do të jetë vendimtar në skicimin e rrjedhës së dekadave të ardhshme