260 punëtorë shëndetësorë mbesin pa paga e pa punë

E publikuar: 28/11/2024 19:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

QKMF në Ferizaj

Jo vetëm që mbetën pa punë, por 260 punëtorë nuk morën pagë as për tre muajt e fundit të angazhimit të tyre – për muajt maj, qershor e korrik.

Xhevdet Haxhidema, udhëheqësi i kontratës për shërbyesit mjekësorë në mes të “Caritas” dhe Drejtorisë së Shëndetësisë në Ferizaj, ia hodhi përgjegjësinë komunës.

Nga ana e tyre, sipas Haxhidemës, janë kryer të gjitha procedurat dhe se i ka ngelur Komunës që të ndajë pagat.

Mirëpo, paga nuk është halli i vetëm për ta.

Mungesa e këtyre shërbyesve mjekësorë të cilat paguheshin e angazhoheshin përmes kësaj kontrate, i ka prekur drejtpërdrejt edhe banorët meqë tashmë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e ka shkurtuar orarin e punës për plot katër orë.

E për zgjidhjen e krejt këtij lëmshi në shëndetësinë e Ferizajt, komuna po mundohet të gjejë një zgjidhje tjetër për t’i dalë në krye ndonëse ankohen se janë hendikepuar nga Ministria e Financave.

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka treguar se gjithë nyja e problemit është kontrata kolektive e cila ua bllokoi pesë milionë euro dhe si pasojë nuk mund ta ripërtërijnë kontratën më “Caritas”.

Në këtë kontratë ishin të angazhuar infermierë, mjekë familjarë, teknikë të rentgenit, asistentë të stomatologjisë e stomatologë.

Me përfundimin e kësaj kontrate, janë mbyllur 5 AMF, konkretisht ajo e Gackës, Varoshit, Mirosalit, Llojzës dhe Talinovcit. /Klankosova.tv