Angazhimi i Evropës ndaj Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të tjera kandidate “do të jetë gjithmonë më i fortë” se përpjekjet ruse për të “parandaluar që ata të kenë një të ardhme evropiane”.
Kështu tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë prezantimit të Kolegjit të Komisionerëve dhe programet e tyre.
Në mesin e komisionerëve, Von der Leyen prezantoi komisioneren e re të BE-së për Zgjerimin, duke thënë se “Marta Kos – me përvojën e saj të madhe – është personi i duhur për këtë punë”.
Ajo shtoi se “vizioni i një kontinenti të bashkuar nga demokracia, shteti i së drejtës dhe respektimi i lirive themelore do të jetë gjithmonë në drejtimin e punës sonë”.
“Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, në Moldavi dhe më gjerë. Ne kemi parë guximin e popullit të Ukrainës në ndjekjen e rrugëtimit të tyre evropian. Ne kemi parë qëndrueshmërinë e popullit të Moldavisë për t’iu përmbajtur të ardhmes së tyre evropiane . Në të njëjtën kohë, ne kemi parë se si Rusia nuk do të ndalet para asgjëje për t’i penguar ata të kenë një të ardhme evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian, transmeton Klankosova.tv.
Ajo prezantoi gjithashtu Komisionerin e parë Evropian për Mbrojtjen Andrius Kubilius, duke thënë se “lufta po shpërthen në kufijtë e Evropës. Dhe ne duhet të jemi gati për atë që na pret përpara – të punojmë krah për krah me NATO-n”.