Adnan Muleci, 31 vjeçar, vdiq në Qendrën Klinike Universitare me 5 qershor të 2024-ës. Raporti mjekësor thotë se organet vitale të trupit të tij ndaluan së funksionuari për shkak të shokut septik, që i erdhi si pasojë e infektimit.
Kjo u vërtetua edhe nga raporti i obduksionit.
Në dokumentin e obduksionit nënvizohet se vdekja e tani të ndjerit, Adnan Muleci, me besueshmëri ka ardhë si rrjedhojë e Sepsës nga Peritoniti, si pasojë e Perforimit të zorrës së trashë (kolonit), e shoqëruar me rënie sistemike të organeve, siç janë pamjaftueshmëria e zemrës, rrugëve të frymëmarrjes dhe veshkave, raporton Kiks Kosova.
Nxjerrja e këtij raporti i kushtoi familjes me zhvarrosjen e trupit pas 24 ditësh nga varrosja e tij, rrjedhimisht mes datave 5 qershor kur ishte varrosur dhe 29 qershor kur u zhvarros.
Vuajtjet e Adnanit kishin filluar 5 ditë para vdekjes, kur ai kishte shkuar për kontroll mjekësor në spitalin rajonal të Pejës.
Kirurgu përgjegjës në rastin e Adnanit, Bujar Vrella, kishte marrë vendim që t’i heqë atij zorrën e trashë duke ia vendosur atij një pajisje brenda trupit e cila në mjekësi njihet si qese kolostomike, në të cilën do të derdheshin nevojat fiziologjike. Kjo me arsyetimin se në zorrën e tij të trashë kishte tumor.
E kundërta ndodhi!
Kjo u vërtetua nga analiza e sepsës për të cilën familja ishte urdhëruar që ta bënin nga një doktoreshë tjetër. Pse familja kishte bërë këtë analizë, e cila kishte rezultuar pozitive, duket se kirurgut përgjegjës nuk i kishte pëlqyer fare. Madje sipas familjarëve, mes kolegëve kishte pasur edhe përplasje verbale.
Pak kishte rëndësi se kush e kishte udhëzuar familjen të bënte një apo më shumë teste e analiza, gjendja e pejanit ishte rënduar. Nga Spitali i Pejës, Adnani ishte dërguar në QKUK. Më të gjitha përpjekjet e doktorëve të cilët e pranuan pacientin, zemra e Adnanit pushoi së rrahuri pasditen e 5 qershorit.
Pikëpyetjet se Adnani kishte tumor u shuan vetëm pas vdekjes së tij. Raporti i biopsisë i realizuar në një ordinancë private thoshte që në zorrën e trashë, Adnani kishte pasur një infeksion, i nënvizuar nga laboratori si “inflamacion purulent abscedent të indit perirektal”. Po ashtu, në raportin e QKUK-së, është konkluduar se ndryshimet morfologjike i përgjigjen inflamacionit akut purulent.
Mulecët nuk kishin kursyer asgjë për të shpëtuar të birin. Madje, ata kishin dhënë edhe ryshfet në vlerë prej 200 – 300 eurove në dorë të doktorit në mënyrë që të kishte kujdes të shtuar për djalin e tyre të vetëm, ani pse gabimet mjekësore i sollën vdekjen e pejanit dhe zinë e përjetshme në familjen Muleci. /Klankosova.tv