Britania e Madhe i ka dhuruar katër dronë Policisë së Kosovës.
Marrëveshjen për pranimin e këtij donacioni e firmosën zëvendësdrejtori i policisë, Fehmi Hoti dhe ambasadori britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves.
Siç njofton policia, dronët do të ndihmojnë në identifikimin, gjurmimin, monitorimin dhe përcaktimin e vendndodhjes së automjeteve dhe personave të dyshimtë.
“Duke përdorur imazhërinë/rezolucionin e lartë dhe aftësitë termale të këtyre pajisjeve, mund të ndihmojnë njësitet policore në marrje të vendimeve të bazuara në informacion, fotografi, xhirime dhe imazhe/prova”.
“Pajisjet e specializuara do të luajnë një rol jetësor në Polici të Kosovës, do të rrisin dhe do të profesionalizojnë edhe më tej punën e Policisë së Kosovës, në veçanti të njësiteve kufitare të cilat kujdesen për parandalim të krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm” thuhet mes tjerash në njoftim.
Policia njëherësh ka falënderuar Ambasadën Britanike në Kosovë për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme.