Foto/ Këta janë dy të dyshuarit për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan që u dorëzuan në polici

E publikuar: 12/11/2024 21:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Valmir Salihu (1998) i njohur me nofkën “TITA” dhe Florian Mitev (1998), janë dorëzuar sot në Policinë e Kosovës për vrasjen e Sokol Osmanit, 37-vjeçar, në Gjilan.

Policia e Kosovës njoftoi të martën se si pasojë e kontrollit të vazhdueshëm të lokacioneve ku qëndronin të arratisurit, u detyruan të dorëzoheshin, shkruan Insajderi.

“Veprime këto të vazhdueshme hetimore intensive besohet se i kanë sjellë të dyshuarit në presion dhe situatë të papërballueshme me ç‘rast të njëjtit sot më datën 12.11.2024 vullnetarisht kanë pranuar të dorëzohen në këtë njësi V.S. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës) dhe F.M. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës)”, ka njoftuar Policia.

Policia bën të ditur se të njëjtit dyshohet të kenë qenë të përfshirë në rastin e vrasjes së ndodhur me datën 07.11.2024 në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit” në Gjilan në të cilin rast ka mbetur i vrarë nga arma e zjarrit viktima Sokol Osmani.

Njërit nga të dyshuarve thuhet se i është konfiskuar një armë zjarri “Pistoletë” e kalibrit 9mm me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale vrasje.