Mungojnë pesë dëshmitarët, shtyhet rigjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit

E publikuar: 08/11/2024 15:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mungesë të pesë dëshmitarëve, ka dështuar seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Nijazi Kryeziu akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prizrenit ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin: Bashkim Lubovci, Ilir Baldedaj, Shpresa Vula, Shukran Zogaj dhe Afërdita Morina.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, ka deklaruar se mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi, kishte për detyrë që në afat prej shtatë ditësh me parashtesë të njoftojë gjykatën për adresat e dëshmitarëve të propozuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, për shkak se ky obligim nuk u përmbush nga avokati, dëshmitarët në fjalë nuk u thirrën për seancën e sotme.

Kurse, avokati Kërveshi njoftoi se kishte komunikuar me telefon me dëshmitarët dhe se deri dy ditë më parë ai kishte informacione se dëshmitarët do të paraqiteshin.

Por, tha se në pamundësisë për të arsyetuar mungesën e tyre tek punëdhënësit, dëshmitarët nuk u paraqitën në senacën e sotme.

Kërveshi tha se qëndron pranë propozimit për dëgjimin e Baldedajt dhe Lubovcit, ndërsa heq dorë nga dëgjimi i tre dëshmitarëve tjerë.

Propozimi i tij u aprovua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Raima Elezi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren të akuzuarin Kryeziu më 21 shtator 2021 e ka liruar nga akuza për korrupsion, mirëpo Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 1 janar 2015 e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 1 mijë e 200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të Kodit Penal.