Çitaku: Raportet me SHBA-në varen edhe nga kush udhëheq institucionet e Kosovës

E publikuar: 07/11/2024 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk varen vetëm nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, por edhe kush i udhëheq institucionet e Kosovës.

Për këtë, ajo ka bërë thirrje që bartësit e institucioneve të Kosovës dhe eksponentët e lartë politik të kenë gjuhën shumë më të kalibruar, pas zgjedhjeve të fundit në ShBA ku Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Amerikës.

Çitaku ka theksuar për Ekonomia Online se institucionet e Kosovës duhet që të angazhohen fuqimisht në përforcimin e misionit diplomatik në Washington, i cili sipas saj është lënë me dy-tre diplomat.

Ajo ka shtuar se Kosova nuk duhet të lihet në harresë nga administrata Trump, por një gjë të tillë e quan të mundur “vetëm nëse Kosova është pro aktive dhe në Washington imponohet si zgjidhje, jo si problem”.

“Zgjedhjet në SHBA përcillen me shumë kuriozitet në mbarë globin, kjo për shkak të relevancës politike ushtarake, ekonomike të SHBA-së dhe është e natyrshme që njerëzit të kenë preferenca për kandidatët në garë. Megjithatë, bartësit e institucioneve të Kosovës, eksponentë e lartë politik duhet ta kenë gjuhën shumë më të kalibruar. Ne duhet që të jemi shumë më të kujdesshëm, një administratë e re e presidentit Trump, sigurisht që do të rishikoj listën e prioriteteve. Është e rëndësishme që Kosova, institucionet e Kosovës, të angazhohen fuqimisht në përforcimin e misionit tonë diplomatik në Washington, i cili është lënë me dy tre diplomat. Duhet të trokasim në çdo derë, duhet të fuqizojmë raportet dhe të krijojmë miqësi të reja. Kosova nuk duhet të lihet në harresë nga administrata Trump dhe një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse ne jemi pro aktiv dhe në Ëashington imponohemi si zgjidhje, jo si problem. Unë nuk i frikësohem asnjëherë Shtëpisë së Bardhë, nga Shtëpia e Bardhë, Kosovës gjithmonë i kanë ardhur vetëm lajme të mira”, ka thënë ajo.

Çitaku ka thënë se si administrata Republikane edhe ato Demokrate në SHBA, historikisht kanë qenë në mbështetje të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, sipas saj, njohja e fundit ndaj Kosovës si dhe vendimi për ndryshimin e mandatit të FSK-së në ushtri, ka ardhur pikërisht në kohën e administratës së Presidentit Trump, transmeton Klankosova.tv.