“Kosova e ka humbur hapin për t’i mbajtur njerëzit në vend”, D4D mban diskutim për “Rikthimin e Trurit”

E publikuar: 29/10/2024 19:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Demokraci për Zhvillim (D4D) ka mbajtur sallonin e së martës, kësaj here me temën “Rikthimi i Trurit dhe Roli i Politikave Publike: Si Ndikon Reduktimi i Brain Drain-it dhe Potenciali i Diasporës në Demokracinë e Vendit”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë sallon u diskutua për tendencat e ikjes së qytetarëve, sidomos të të rinjve, si dhe nevojën për politika më të mira publike.

Bashkëpunëtori i lartë hulumtues i kësaj organizate, Ilir Deda ka potencuar se Kosova duhet të jetë më e përkushtuar për të krijuar reforma më afatgjata në shumë fusha, e sidomos në arsim.

Sipas tij, Kosova e ka humbur hapin për t’i mbajtur njerëzit në vend, andaj nuk duhet “një investim i jashtëzakonshëm karshi njerëzve që nuk kanë durim ta presin të nesërmen”.

“Kur janë marrë një grup i njerëzve nga Gjermania, janë habitur me padijen e një udhëheqësi nga një ministri. Kërkohen një analizë e thellë se ku dëshirojmë të mbërrijmë, Izraeli e ka politikën më të qëndrueshme në evoluimin e diasporës. Ne mund të marrim shembull nga ata. Kur kam udhëhequr tri marrëveshjet e mobilitetit, ne e kemi humbur hapin për të mbajtur njerëzit në Kosovë, sepse nuk të duhet investim i jashtëzakonshëm karshi njerëzve që nuk kanë durim ta presin të nesërmen. Ka një këndellje që njerëzit ta kuptojnë me të vërtetë se si është e jo siç duket”.

“Kur flasim për arsim prej para-shkollës nuk ka asnjë reformë, kur e sheh me çka i ngarkojnë më shumë, nuk ka pasur ndonjë reformë të mirëfilltë.  Tek ne ende nuk janë këto nivele arsimore e as mendim kritik, për të pasur reforma afatgjate në Kosovë duhet përkushtim. Ajo që kemi shpresuar ne njerëzi që shkollohen shkojnë jashtë dhe kthehen pas studimeve. Ajo që me shqetëson që bazat e industrisë i kemi shkatërruar ne, nuk e kemi marr seriozisht që ajo është, nevojitet. Në mendësi kolektive është shumë problem, nuk besoj që Kosova lejon autokraci”, ka potencuar Deda.

Ndërsa, sipas profesoreshës Ardiana Gashi, të Universitet të Prishtinës në degën e ekonomisë, është e vështirë që të rinjtë të binden për të qëndruar në Kosovë.

Sipas një anketimi që ajo përmendi, rreth 61 për qind e qytetarëve kanë tendencë për ta lëshuar vendin.

“Është vështirë me i bind të rinjtë me qëndrua në Kosovë. Kam baza ditore tek studentët, jo që nuk i kemi mbajtur por kemi punuar që t’i largojmë në vazhdimësi. Përqindja më e madhe, 61 për qind e të anketuarve e konsiderojnë ta lëshojnë Kosovën e mbi gjysma janë në proces të ikjes dhe kanë marrë hapa konkret”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka theksuar se ende ekziston tendenca e të rinjve për të ikur jashtë vendit, sipas saj, vetëm me punë dhe seriozitet mund të arrihet të qëndrojnë qytetarët në vendin e tyre.

“Ende ekziston tendenca për të ikur, nëse seriozisht punon për të nxitur njerëzit të punojnë për vendin e tyre. Natyrisht jo çdo person që jeton jashtë është në përputhje ekspert për vendin tonë, mundësia është shumë e lehtë. Mundësia ekziston dhe nuk është turp me kopjua e jo me zbulua diçka të re. Hapësirë ka dhe shumë mundësi dhe kemi stok më të madh të diasporës që kemi mundësi me shfrytëzua. Kur bëhen anketa arsyet e mërgimit përmendet edhe arsimi, sot mundësitë janë me studiua se çka dëshiron, në fushën e arsimit kemi mundësi me i ndihmua për të parandaluar ikjen”, ka theksuar Gashi.