Mbi 1 mijë divorce brenda tetë muajve, tradhtia shkak kryesor

E publikuar: 27/10/2024 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbi një mijë qifte u divorcuan brenda tetë muajve në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë muajit gusht afro 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Derisa psikologët dhe sociologët po konsiderojnë se shkak kryesor i këtij fenomeni në rritje është tradhtia në mes bashkëshortëve. Ndërkaq, është rritur numri i partnerëve që kërkojnë këshillime psikologjike përpara divorcit.

Mbi një mijë qifte u divorcuan brenda tetë muajve në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë muajit gusht afro 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Derisa psikologët dhe sociologët po konsiderojnë se shkak kryesor i këtij fenomeni në rritje është tradhtia në mes bashkëshortëve. Ndërkaq, është rritur numri i partnerëve që kërkojnë këshillime psikologjike përpara divorcit.

Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli vlerëson shqetësues faktin e rritjes së numrit të rasteve të divorcit.

Ai potencon se mungesa e komunikimit, shkaqet ekonomike dhe tensionet familjare, janë disa nga faktorët që po shtyjnë qiftet drejt këtij vendimi, pas tradhtisë.

“Kohëve të fundit është një fenomen mjaft shqetësues rritja e numrit të rasteve të divrocit. Po ashtu, është rritur edhe numri i qifteve që kërkojnë këshillime psikologjike pikërisht për këtë arsye. Ekzistojnë një mori faktorësh që ndikojnë në rritjen e rasteve të divorcit, duke filluar që nga mungesa e komunikimit, përkatësisht që nga rrënimi i urave të komunikimit dhe harmonisë familjare. Pastaj shkaqet ekonomike, mos të harrojmë që janë një kusht që ndikojnë te rritja e numrit të divorceve. Pastaj janë tensionet familjare, është dhuna e rritur brenda familjes… Mund të renditet edhe një shkaktar kryesor i rritjes apo i ndikimit direkt tek divorcet, është edhe tradhtia bashkëshortore, duke pasur parasysh se individët apo qiftet kanë arritur që përmes teknologjisë të depërtojnë nëpër sferat tjera apo në ambiente të ndryshme dhe të harrojnë njeri-tjetrin”, thotë Havolli.

Përveç kësaj, psikologu Havolli thekson se ngritje ka shënuar edhe numri i qifteve të divorcuara me fëmijë.

“Kohëve të fundit shumica e qifteve që shkojnë drejt divorcit nuk i shohin sa fëmijë i kanë. Madje, mund të themi që është trend në rritje numri i qifteve që kanë fëmijë. Për arsye ende ta panjohura”, potencon Havolli.

Sociologu Genc Xërxa ndër faktorë të tjerë përmend edhe infertilitetin si shkak i shkurorëzimit mes partnerëve në Kosovë.

Xërxa vlerëson se vetëdijesimi dhe emancipimi i njerëzve ka ndikuar në marrjen më të lehtë të vendimit për ndarje.

“Kemi një rritje të lehtë në krahasim me vitet paraprake. Shkaqet kryesore i kisha veçuar tri. Njëra prej tyre është mos pajtueshmëria e qiftit edhe për gjërat elementare mes vete. Pastaj është edhe tradhtia apo infertiliteti. Dhe e treta është mjetet materiale apo situata socio-ekonomike. Pra, këto janë tri shtyllat kryesore në të cilat bazohet apo krijohet një marrëdhënie mes një qifti dhe në të cilën mund të prishet ajo marrëdhënia…Janë vetëdijesuar njerëzit. Përpara kemi pasur një lloj edhe të presionit social apo shoqëror se me çdo kusht duhet të ruhet martesa, në çfarëdo forme dhe përjetimi brenda asaj marrëdhënie që tejkalon qifti. Ndërsa, tani me vetëdijesimin dhe mundësitë e reja dhe emancipimin, sidomos edhe të gruas ashtu që po vijnë edhe deri te divorcet e ndryshme”, thotë Xërxa.

Po ashtu, edhe drejtoresha e Shoqatës për Prindër të Ndarë, Arjeta Gashi potencon se përveç tradhtisë, dhuna psiqike dhe fizike përmenden ndër faktorët kryesor nga rastet që paraqiten në këtë shoqatë.

“Të gjitha rastet në organizatën tonë të cilat janë si anëtare të organizatës, e kryesisht janë nëna, rreth 360 nëna vetushqyese, shkaku është tradhtia nga ana e kundërt, nga ish bashkëshortët e tyre. Kjo si rrjedhojë e ka vërtetuar edhe te ne, edhe në raportin që e kemi publikuar dhe që e kemi bërë një hulumtim, i bie që shumica nga ta apo të them tërësisht nga ta kanë ardhur deri te divorci për shkak të tradhtive që janë bërë nga ana e burrave. Kjo pastaj krijon probleme brenda familjes, ka krijuar dhunë psiqike, dhunë fizike dhe ka qenë e padurueshme dhe qëndrimi në një jetë të përbashkët dhe ka ardhur deri te divorci”, tregon Gashi.

Ndërkaq, Gashi potencon se problematika e strehimit, mospagesa e alimentacioni, stigmatizimi janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen prindërit vetushqyes.

“Sfidat janë të shumta për nënat vetushqyese derisa në një farë forme të pakontestueshme i marrin fëmijët e tyre në kujdestari për fëmijët e tyre. Strehimi, banesa apo shtëpi, meqenëse në vendin tonë ende nuk ka politika për prindër vetushqyes dhe me t’u marrë vendimi për divorc apo ndarje fizike, nëna merr fëmijët dhe del nga ajo shtëpi…Mospagesa e alimentacionit natyrisht që krijon shumë probleme, shëndetësia, arsimi. Ndër ato që më së shumti na vështirëson jetën është edhe stigmatizimi”, thekson Gashi.

Ndër të tjera, Gashi tregon se pjesë e organizatës “Prindër të ndarë”, janë rreth 360 gra dhe vetëm 5 burra, pasi siç thotë ajo këta të fundit nuk paraqiten për shkak të krenarisë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga muaji janar deri në gusht të këtij viti, janë shënuar 1 mijë e 103 divorce. Vetëm në muajin gusht numri i ndarjeve është 136, derisa prin Prizreni me 15 raste dhe Gjilani me 14.

Ndërkaq, në një raport të ASK-së, thuhet se gjatë tërë vitit 2023 janë shkurorëzuar mbi 2 mijë qifte, derisa Prizreni dominon me rreth 200 raste./Kp