Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se Agjencia Kosovare për Ineligjencë është shndërruar në “organizatë kriminale të pushtetit” duke përgjuar kundërligjshëm atë dhe gazetarët Ilir Mirenën, Lirim Mehmetajn dhe Berat Buzhalën.
“Po ua konfirmoj edhe një herë se ky institucion shtetëror, që tashmë është shndërruar në organizatë kriminale të pushtetit, po na përgjon dhe vëzhgon në mënyrë të kundërligjshme mua, Berat Buzhalën, Ilir Mirenën dhe Lirim Mehmetajn.” – tha Kajtazi.
Ai shtoi se në muajin gusht të vitit 2024, shërbëtori i regjimit, Petrit Ajeti, ka dorëzuar një raport kundër tij dhe Lirim Mehmetajt në zyrën e Besim Kelmendit, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, ish-asistenti i gjyqtares famëkeqe, Danica Marinkoviq.
Ai tha se në shkresën ku kërkon burgosjen e tij dhe Lirim Mehmetajt, Kelmendi ia ka dorëzuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Kelmendi, këtë shkresë që kërkon burgim për mua dhe Lirimin, ia ka dorëzuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Ky fakt do të konfirmohet kur Prokuroria do të na thërrasë për të na marrë në pyetje si të dyshuar për zbulimin e identitetit të zyrtarëve të AKI-së, mua dhe Lirimin.” – tha Kajtazi.
“Ky pretendim lidhet me ekspozimin e implikimit kriminal të zyrtarëve të AKI-së në shitjen dhe pagesat e AKI-së për një medium në Bosnje, se gjoja Berat Buzhala dhe Ilir Mirena paguhen nga Milan Radojiçiqi. Autori i këtij lajmi të rremë është Driton Sejdiu. Po e përsëris, Driton Sejdiu i AKI-së. Unë dhe kolegët e mi kemi kryer punën tonë. Nuk është faji ynë nëse puna jonë nuk i pëlqen këtij regjimi.” – shtoi Kajtazi.