Në fund të muajit të kaluar, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovë kishte njoftuar rifillimin e dhënies së certifikatave mjekësore për leje për armëmbajtje.
Që nga 25 shtatori, Klinika e Psikiatrisë ka lëshuar 72 certifikata të tilla.
Bazuar në këtë shifër, drejtori i Klinikës, Faton Kutllovci, vlerëson se interesimi është në rritje e sipër.
“Mirë është duke shkuar si proces, interesimi është duke u rritur edhe kjo mendoj është për pasojë se për një periudhë të gjatë ky shërbim në kuadër të Qendrës Klinike Universitare nuk është ofruar”, tha drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci.
Personat e interesuar duhet t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore nga disa profesionistë shëndetësorë.
“……ditën e martë dhe të mërkurë procesi shkon ashtu që personat që janë të interesuar t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore të lajmërohen në ora 13:00, marrin fletëpagesën dhe pastaj nga ora 14:00 do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore nga gjashtë profesionistë: specialist i ORL-së, oftamologu, mjeku familjarë, neurologu, psikiatri dhe psikologu”, tha Kutllovci.
Dhënia e certifikatës mjekësore për leje të armëmbajtjes po konsiderohet si një mekanizëm i cili ka efekt pozitiv në sigurinë e vendit.
“Çdo kush që tenton ta kryej një krim së pari mendon tek ajo se nuk do të zbulohet, prandaj kur ti e ke armën e evidentuar në disa institucione dhe po e quajmë ‘normal’ me certifikatë të mjekut atëherë e rrit sigurinë se nuk e përdorë kur e dinë se do të zbulohesh”, tha Xhemajl Ademaj, njohësi i balistikës dhe sigurisë.
Sipas të dhënave nga policia e Kosovës, brenda dhjetë muajve janë iniciuar mbi 1.300 raste për armëmbajtje pa leje. Konsiderohet se rreth 260 mijë armë pa leje janë në duart e qytetarëve të Kosovës.
Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal dhe parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. /atv