“I shkuan te koka”, dëshmitari thotë se kishte parë të akuzuarin Gjokoviq dhe një tjetër kur u vra një person

E publikuar: 18/10/2024 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në rastin ku Millorad Gjokoviq akuzohet për krime lufte , dëshmitari Halit Gashi deklaroi se e kishte parë të akuzuarin Gjokoviq së bashku me Mumo Vukotiqin, në momentin kur ishte vrarë E.T., por që nuk kishte parë se kush kishte qëlluar mbi tani të ndjerin.

Sipas aktakuzës, Millorad Gjokoviq po akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, ka kryer krime lufte.

“I pashë duke dalë. E,. dhe A,. po dilnin krah për krah, duke u përpjekur të iknin. Ata po vraponin kur u dëgjuan të shtënat e pushkëve. Pasi ra në tokë njëri prej tyre, Millorad Gjokoviqi dhe Mumo Vukotiqi i shkuan te koka”, tha dëshmitari Gashi.

Në seancën e së premtes, Gashi sqaroi se këtë e kishte parë tek shtëpia e familjarëve të vet më 1999, poor që nuk kishte parë se kush kishte qëlluar me armë tani të ndjerin E.M., por që kishte dëgjuar të shtënat.

Dëshmitari tha se kishte ardhur në përfundim se ndoshta i akuzuari Gjokoviq e kishte vrarë, pasi ai iu afrua i pari trupit të pajetë të E.M.

Gjatë pyetjeve të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Dejan Vasiq dhe Vasilie Arsiq, këta të fundit shfaqën dyshime lidhur me deklaratën e dëshmitarit, pasi sipas tyre, kishte kundërthënie me deklaratat e mëparshme.

“Mbrojtja është në dijeni dhe sot u vërtetua se deklaratat e dëshmitarit (Gashi) janë kontradiktore dhe kanë për qëllim të akuzojnë klientin tim për arsye personale që ai mund të ketë pasur me të akuzuarin”, tha avokati Arsiq.

Gjithashtu, avokati Arsiq propozoi që gjykata ta pyeste dëshmitarin nëse kishte qenë ndonjëherë në burg pas vitit 1999.

Lidhur me këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, e njoftoi paraprakisht dëshmitarin Gashi se kishte të drejtë të mos përgjigjej nëse kjo mund ta inkriminonte atë ose ndonjë të afërm të tij.

Megjithatë, në lidhje me atë pyetje, dëshmitari Gashi u përgjigj: “Jo, kurrë.”

Paraprakisht, në këtë seancë, i akuzuari Gjokoviq kërkoi nga gjykata t’i dorëzoheshin 6 procesverbalet e seancave të fundit të përkthyera në gjuhën serbe, duke shtuar se pa to nuk mund t’i bënte pyetje dëshmitarit dhe kërkoi shtyrjen e seancës.

Gjykatësi Kurtaj sqaroi se të gjitha shkresat janë përkthyer dhe u janë dorëzuar avokatëve të tij, Vasiq dhe Arsiq, andaj tha se nuk ka arsye për shtyrjen e kësaj seance.

Më pas, gjykatësi theksoi se të akuzuarit do t’i dorëzohen procesverbalet e kërkuara dhe se dëshmitari Gashi do të thirret edhe në seancën e ardhshme për t’u marrë në pyetje nga ana e të akuzuarit.

I akuzuari Gjokoviq u pajtua me këtë propozim të gjykatësit Kurtaj, kështu që seanca e ardhshme do të vazhdojë me dëshminë e Gashit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi