Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se është banale tendenca e Qeverisë për ta paraqitur si sekret shtetëror çështjen e ushqimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke u shprehur se kjo duhet të rregullohet.
Sipas Isufit, kjo çështje është normale dhe s’duhet të trajtohet si diçka shumë specifike. Ai ka thënë në “Konfront” të KTV-së se FSK-ja duhet të ketë personelin e saj dhe të përgatisë ushqimin.
“Ushtria duhet të ketë personelin e vet, kuzhinierë në kuadër të ushtrisë, ta ketë ushqimin e kontraktuar që e fut brenda ushtrisë, të kontrolluar dhe shërbimi të bëhet brenda ushtrisë. Në Kosovë ka ndodhur përmes tenderëve me kompani sepse iu është dukur më e lehtë funksionim për shkak të mosngarkimit të ushtrisë me kapacitete…Banalja dhe paradoksi është që të quhet sekret shtetëror, sepse s’ka nevojë që diçka që është normale ta bësh më specifike sesa që është”, ka thënë ai.
Isufi ka theksuar se ushqimi për ushtarët duhet të garantohet në çdo mënyrë.