Armend Muja e padit Baton Haxhiun, ky i fundit pretendoi se e dëgjoi një përgjim mes tij dhe Radojçiqit

E publikuar: 16/10/2024 19:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i VV’së, Armend Muja e ka paditur pronarin e portalit Albanian Post, Baton Haxhiu, pasi ky i fundit në emisionin Pressing në T7 pretendoi se e ka dëgjuar një përgjim mes Milan Radojçiqit dhe një deputeti të Kuvendit të Kosovës, për të cilin supozoi se ishte Armend Muja.

Muja përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se ka bërë padi për deklaratat si thotë ai shpifëse dhe dezinformuese të Baton Haxhiut.

Ai thotë se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, ndërsa ka kërkuar nga institucionet relevante që ta trajtojnë me prioritet dhe seriozitet çështjen.

“Ashtu siç kam paralajmëruar para disa ditësh, sot ju drejtova organeve të rendit të Republikës së Kosovës për të kërkuar një hetim të plotë dhe të paanshëm dhe ushtrova Padi lidhur me deklaratat shpifëse dhe dezinformuese të z. Baton Haxhiu, pronar i portalit Albanian Post. Kjo është një shpifje sa e ultë aq edhe e rrezikshme, temë të së cilës unë do t’i shkoj deri në fund. Ftoj të gjitha institucionet relevante ta trajtojnë me prioritet dhe seriozitet çështjen” shkroi Muja.

Kujtojmë se Muja po atë ditë në emisionin Pressing në T7 kishte deklaruar se asnjëherë në jetën e tij nuk ka biseduar me Milan Radojçiqin.

Muja thotë se aludime të tilla për një bisedë të mundshme mes tij dhe Radojçiqit janë shpifje të PDK’së.