Tensionet e vazhdueshme etnike në veri të Kosovës mund të shkaktojnë një përsëritje të dhunës të para një viti në këtë zonë, kur katër persona vdiqën në një betejë me armë dhe kur paqeruajtësit e NATO-s u lënduan në përleshje, paralajmëroi të shtunën një zyrtar i lartë nga aleanca ushtarake, ka shkruar Reuters, transmeton Gazeta Express.
Kosova është kryesisht me shqiptarë etnikë, por rreth 50,000 serbë në veri e refuzojnë qeverinë e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. Agjencia e lajmeve rikujton se Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 një dekadë pas një kryengritjeje guerile.
Admirali i Marinës së SHBA-së Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate Napoli – e cila mbikëqyr forcën paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë – tha se aleanca mbetet e shqetësuar për rrezikun e dhunës së përsëritur në veriun e paqëndrueshëm.
“Retorika e nxehtë politike mund të frymëzojë disa forca joqeveritare për të kryer dhunë siç ndodhi vitin e kaluar”, u tha Munsch gazetarëve në Prishtinë.