LDK: Dështimet e qeverisë në furnizimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës

E publikuar: 12/10/2024 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës në konferencën e mbajtur sot, ka ngritur shqetësimet dhe ka kërkuar llogaridhënie nga qeveria për krizën me ushqimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni dhe Armend Zemaj, gjatë konferencës thanë se dështimet e qeverisë në furnizimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës.

“Kjo situatë alarmante, e konfirmuar nga Komandanti Jashari në një letër drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtrinë tonë. Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim—është një çështje shëndeti, sigurie dhe gatishmërie operacionale. Ushtarët tanë tani përballen me kërcënimin real të helmimit nga ushqimi dhe infeksionit për shkak të kushteve të përkeqësuara higjienike dhe shërbimeve ushqimore të pasigurt.”

Në konferencë po ashtu u tha se në këtë situatë jemi shkaku i varësisë së qeverisë nga kontratat emergjente për blerje, të menaxhuara pa transparencë ose llogaridhënie.

Prandaj Lidhja Demokratike e Kosovës ka një plan të qartë për ta rregulluar këtë. Nën drejtimin e LDK-së, blerja e ushqimit dhe shërbimeve të tjera thelbësore për FSK-në do të menaxhohet me profesionalizëm, transparencë dhe parashikim. Ne do të prezantojmë standarde ndërkombëtare për të siguruar që ushtarët tanë të mos lihen më kurrë në pozita të tillë të rrezikshme.