Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtar policor me detyrë në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së në interes të hetimit të rastit.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor (tashmë i suspenduar) më 03.10.2024 ka qenë duke e kryer detyrën e kontrollimit në kabinën e cila është në dalje të Republikës së Kosovës në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit dhe dyshohet se i njëjti nuk ka ndalur e as ka futur në sistem te të dhënave të PK-së të dhënat një personi të dyshimtë i cili është ndaluar më vonë nga policia në Maqedoninë e Veriut si i dyshuar për kontrabandë me lëndë narkotike”.
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, ka thënë IPK-ja.