Kurti u takua me Magazinoviqin, e falënderoi për mbështetjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në KiE

E publikuar: 10/10/2024 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me kryetarin e delegacionit të Bosnje dhe Hercegovinës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe deputetin, Sasha Magazinoviq, të cilit i uroi mirëseardhjen në Kosovë dhe i shprehu kënaqësinë që ta presë e bashkëbisedojnë ndërmjet tyre.

Me anë të kumtesës për media bëhet e ditur se e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të tij ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shtoi se kjo mbetet prioritet i politikës sonë të jashtme por edhe asaj të brendshme, duke qenë se aderimi në këtë organizatë dhe institucion të rëndësishëm ofron një kornizë e garanci shtesë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

“Kryeministri shprehu se Kosova vijon të jetë e përkushtuar maksimalisht ndaj bashkëpunimit rajonal dhe rrugës drejt BE-së të vendeve të rajonit, ku shprehu mbështetjen e tij ndaj Bosnje e Hercegovinës në tejkalimin e barrierave institucionale në këtë drejtim dhe nënvizoi kërkesën për anëtarësim të Kosovës, për çka edhe mirëpresim marrjen e pyetësorit e më tej statusin e vendit kandidat, si i vetmi shtet në rajon që ende nuk e gëzon këtë status”, thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se ata biseduan edhe rreth zhvillimeve politike e aktualitetit në vend e rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit të forcave social-demokrate, për më shumë zhvillim, mirëqenie e progres rajonal e gjithëpërfshirës.