Quni: Institucionet e sigurisë duhet të hetojnë bisedat e Kusari-Lilës me Radoiçiqin

E publikuar: 09/10/2024 22:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Anton Quni

Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka kërkuar ngritjen e alarmit nga të gjitha institucionet e sigurisë për të zbuluar detajet e bisedave të të shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me Milan Radojiçiqin dhe Sllavko Simiqin e Listës Serbe.

Në një lidhje direkte gjatë emisionit Debat Plus, Quni ka theksuar se është e rëndësishme të kuptohet epilogu i këtyre bisedave dhe pasojat që ato mund të kenë.

“Do të duhet të ngritët alarmi i të gjitha institucioneve të sigurisë që të zbulojnë deri në detajet më të vogla se cili ishte motivimi për këto biseda, cili ishte epilogu dhe tani cilat janë pasojat,” deklaroi Quni.

Ai gjithashtu komentoi mbi deklaratat që lidhen me një luftë hibride dhe potencialin për manipulim nëpërmjet inteligjencës artificiale.

Sipas tij, nëse del që këto biseda janë sajuar me qëllim të caktuar, ata që qëndrojnë pas kësaj duhet të përballen me organet e drejtësisë.

Quni nënvizoi rëndësinë e hetimeve të plota për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri në këtë çështje.