Qytetarët kosovar të cilët ia mësyjnë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nuk përballen vetëm me mungesë të barnave e pritje të gjata. Por atyre u kanoset dhe një rrezik tjetër, kafshimi nga qentë e shumtë, të cilët bredhin në oborrin e QKUK-së.
E viktimë sonte ishte një grua, e cila po e shoqëronte një paciente, familjare të saj në Klinikën e Neurologjisë. Ajo u sulmua nga qentë, të cilët i shkaktuan asaj plagë të rënda.
Indeskonline ka siguruar një foto të gruas e cila u sulmua, ku shihen plagë të shumta në këmbët e saj.
E rastin për “Indeksonline”, e ka konfirmuar mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente Sami Bajqinca . Ai ka thënë se pacientja është trajtuar në Emergjencë dhe tashmë është transferuar në klinikën Infektive.
“Një grua është sulmuar sonte prapa Klinikës së Neurologjisë. Ajo ka qenë përcjellëse e një paciente në këtë klinikë. Pacientja është trajtuar tek ne dhe tashmë është transferuar në Klinikën infektive”, ka thënë Bajqinca.