Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar me shqetësim për kërcënimin me jetë që i është bërë gazetarit Vehbi Kajtazi.
AGK kërkon nga autoritetet përgjegjëse dhe organet e rendit të Republikës së Kosovës që të ofrojnë siguri për gazetarin Kajtazi dhe që ta trajtojnë me urgjencë kërcënimin që ai ka marrë mbrëmjen e 8 tetorit, përmes një mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”.
AGK ka kontaktuar me gazetarin Kajtazi dhe i njëjti tashmë ka njoftuar autoritetet përgjegjëse lidhur me kërcënimin serioz që ka marrë.
AGK kërkon nga Policia e Kosovës që të reagojë shpejt për lokalizimin e kërcënuesit në mënyrë që të evitohet çfarëdo rreziku për jetën e gazetarit Vehbi Kajtazi.