Ish-kryediplomati finlandez, Pekka Haavisto (Foto FB)
Ish-kryediplomati finlandez, Pekka Haavisto, është një nga emrat e përfolur për ta pasuar sllovakun, Miroslav Lajcak, në pozitën e emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi. Të enjten gazeta finlandeze “Helsingin Sanomat” bazuar në burimet e saj ka shkruar se Finlanda është e gatshme që ta vendosë në punë diplomatin Haavisto për këtë pozitë të lartë në BE, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me këtë raportim të “Helsingin Sanomat”, në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Ministria e Jashtme e Finlandës, duke thënë se Finlanda aktualisht vazhdon të mbështesë emisarin sllovak Lajçak meqë ende s’është hapur zyrtarisht gara për zëvendësimin e tij.
“Pozita e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë nuk është hapur ende dhe aktualisht Finlanda vazhdon të mbështesë plotësisht Përfaqësuesin Special Lajcak në punën e tij të rëndësishme deri në fund të mandatit të tij”, ka thënë për Gazetën Express zyrtari për komunikim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Harri Kilpi.
Nga MPJ e Finlandës kanë potencuar se presin nisjen e punës të Komisionit të ri Evropian dhe marrjen e detyrës nga Kaja Kallas dhe përcaktimin e prioriteteve, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi.
“Në përgjithësi, emërimi i Përfaqësuesit Special të BE-së bie nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë dhe Zëvendës Presidentit. Për momentin, ne presim që Komisioni i ri dhe Përfaqësuesja e Lartë të marrin detyrën në muajt e ardhshëm dhe që Përfaqësuesja e Lartë dhe Zëvendës Presidentja e re të përcaktojë prioritetet e saj, duke përfshirë dialogun Beograd-Prishtinë”, përfundon përgjigja e MPJ së Finlandës për Gazeta Express.
Gjatë muajit qershor të këtij viti kur emri i Haavisto kishte qarkulluar në media, Express kishte kontaktuar zyrën e diplomatit finlandez, megjithatë nga zyra e tij kanë thënë se s’kanë koment për emërimin e mundshëm të tij si emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.
Haavisto ka vepruar më parë si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Sudanin në lidhje me negociatat mbi marrëveshjen e paqes të Darfurit. Në Ballkan, ai ka punuar për UNEP në kuadër të një programi mjedisor të OKB-së.
Emisari sllovak Miroslav Lajcak do ta përfundojë mandatin e tij më 31 janar të vitit 2025. BE kishte vendosur për zgjatjen e mandatit të sllovakut më 26 korrik të këtij viti. Vetë Lajçak, duke folur pë zgjatjen e mandatit, kishte treguar se kishte kërkuar të vazhdonte punë e tij si emisar meqë ka shumë për të bërë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Si emra të mundshëm për zëvendësimin e sllovakut është përmendur edhe ish-presidenti slloven, Borut Pahor dhe diplomati danez Peter Sorensen.