Ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka thënë se gjatë kohës së pasluftës, sfidë ka qenë largimi i nxënësve nga shkolla si shkak i pamundësisë për t’i blerë tekstet shkollore.
Sipas tij, në vitin 2008, është marrë vendim që tekstet shkollore të sigurohen nga Qeveria për shkak të kostos së lartë.
Këto komente i ka bërë në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore
“Në vitin 2005 kam qenë kryetar i Komisionit dhe më kujtohet që kemi filluar një vizitë nëpër komuna për shkak të largimit të nxënësve nga shkollat dhe në një komunë që më së paku e kam pritur ka qenë Komuna e Gjakovës. Në Gjakovë, një zonjë na ka prit në oborr dhe na ka thënë se kur po vjen vjeshte na nuk po e di çfarë të blejë më përpara, drunjte, turshitë apo librat dhe kjo ka qenë arsyeja e braktisjes së mësimit nga nxënësit”, u shpreh Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se kjo ka qenë arsyeja që është marrë vendim nga ish-qeveria Thaçi për t’i subvencionuar tekstet shkollore.
“Në këtë drejtim kemi marrë vendim që në vitin 2008 t’i ndajmë tekstet shkollore dhe janë siguruar tekstet për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë”, u shpreh Hoxhaj.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, pyeti ish-ministrin Hoxhaj, nëse është menduar si opsion subvencionimi i teksteve shkollore por që kjo u mohua nga vetë Hoxhaj.
“Në atë kohë ka pas një traditë të politikës dhe nuk e kem pas si opsion për shkaqe teknike që kemi jetuar atë kohë dhe prandaj kemi menduar se blerja e librave nga Ministria edhe për shkak të kostos edhe për shkak të mënyrës më të lehtë dhe praktike”, tha Hoxhaj.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i dhuroi Hoxhajt një “mirënjohje për kontributin e tij në dhënien falas të teksteve shkollore”.