CNN: Ushtria e Ukrainës po lufton me moral të ulët dhe dezertim

E publikuar: 08/09/2024 13:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

CNN raporton se Ushtria e Ukrainës po përballet me probleme të brendshme, derisa po lufton kundër Rusisë.

“Dima nuk e shuan kurrë një cigare derisa ta pijë deri në filtër, duke rrezikuar t’i djegë gishtat.”

Kështu e nis shkrimin mediumi i madh ndërkombëtar, duke treguar se si ai, si komandant batalioni ishte në krye të rreth 800 burrave që luftuan në disa nga betejat më të ashpra dhe më të përgjakshme të luftës – së fundmi pranë Pokrovsk, qytetin strategjik lindor që tani është në prag të rënies në duart e Rusisë.

Por me shumicën e trupave të tij tashmë të vdekur ose të plagosur rëndë, Dima u largua dhe filloi një punë tjetër me ushtrinë – në një zyrë në Kyiv.

Duke qëndruar jashtë asaj zyre, duke pirë duhan dhe duke pirë kafe të ëmbël, ai i tha CNN, se thjesht nuk mund ta përballonte t’i shikonte më njerëzit e tij të vdisnin.

Dy vjet e gjysmë të ofensivës së ashpër të Rusisë, kanë shkatërruar shumë njësi ukrainase. Përforcimet janë të pakta, duke lënë disa ushtarë të rraskapitur dhe të demoralizuar. Situata është veçanërisht e rëndë midis njësive të këmbësorisë pranë Pokrovsk dhe gjetkë në vijën e frontit lindor, ku Ukraina po përpiqet t’i ndalojë përparimet zvarritëse të Rusisë.

CNN foli me gjashtë komandantë dhe oficerë, që janë ose kanë qenë deri vonë duke luftuar ose mbikëqyrur njësitë në zonë. Të gjashtë thanë se dezertimi dhe mosbindja po bëhen një problem i përhapur, veçanërisht në mesin e ushtarëve të saporekrutuar.

Katër nga gjashtë, përfshirë Diman, kanë kërkuar që emrat e tyre të ndryshohen për shkak të natyrës së ndjeshme të temës dhe për shkak se nuk janë të autorizuar të flasin në media.

“Jo të gjithë ushtarët e mobilizuar po largohen nga pozicionet e tyre, por shumica po. Kur vijnë djem të rinj këtu, shohin se sa e vështirë është. Ata shohin shumë dronë të armikut, artileri dhe mortaja.” – tha një komandant i njësisë që aktualisht lufton në Pokrovsk.

Ai gjithashtu kërkoi të mbetet anonim.

“Shkojnë një herë në pozicione dhe nëse mbijetojnë nuk kthehen më. Ata ose largohen nga pozicionet e tyre, refuzojnë të shkojnë në betejë, ose përpiqen ta gjejnë një mënyrë për ta lënë ushtrinë.” – shtoi ai.

Ndryshe nga ata që dolën vullnetarë më herët në luftë, shumë nga rekrutët e rinj nuk kishin zgjedhje. Ata u thirrën pasi ligji i ri i Ukrainës për mobilizimin hyri në fuqi në pranverë dhe nuk mund të largohen ligjërisht derisa qeveria ta prezantojë çmobilizimin, përveç nëse marrin leje të posaçme për ta bërë këtë.