\Një zjarr i fuqishëm, i nxitur nga moti i nxehtë dhe era, i ka detyruar banorët e fshatit Varnava pranë Athinës, që të largohen nga shtëpitë e tyre. Reja e tymit mund të shihej qartë mbi kryeqytetin grek.
Më shumë se 250 zjarrfikës, 12 aeroplanë dhe shtatë helikopterë po marrin pjesë në operacionin për frenimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e tij. Zjarri shpërtheu në orën 15:00, sipas Athinës, dhe u përhap me shpejtësi në fshatin Varnava, rreth 35 kilometra në veri të Athinës.
“Flakët e rrethuan fshatin me shpejtësi. Fryn një erë e furishme”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters banorja Katerina Fylaktou. “Zjarri filloi në një vatër dhe u përhap në të gjithë zonën”.
Autoritetet u kërkuan banorëve të pesë zonave që të evakuohen. Tymi i dendur mbuloi një pjesë të mirë të qiellit të Athinës dhe arriti deri në ishullin Egina në orët e para të mbrëmjes.
Qindra zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë gjatë verës, e cila ka shënuar qershorin dhe korrikun më të nxehtë pas dimrit më të ngrohtë. Ashtu si kudo në Mesdhe, shkencëtarët thonë se shpërthimi zjarreve ka lidhje me motin gjithnjë e më të nxehtë dhe të thatë të nxitur nga ndryshimet klimatike.
Një raport i Komisionit Evropian në prill tha se sezoni i zjarreve gjatë vitit 2023 në Evropë ishte ndër më të këqijtë e shekullit. Vetëm këtë muaj, zjarret u përhapën në Greqi, Ballkan dhe Spanjë, mes një nxehtësie ekstreme.
Zëdhënësi i brigadës greke të zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis, tha se zjarri në fshatin Varnava u përhap për shkak të erërave të forta. Flakët me një lartës prej rreth 25 metra përpinë shtëpi, pemë dhe shkurre.
Të shtunën, Ministri për Krizat Klimatike dhe Mbrojtjen Civile, Vassilis Kikilias, tha se kishte bërë thirrje për masa urgjente që përfshijnë ushtrinë, policinë dhe vullnetarët për t’u përballur me zjarret deri më 15 gusht. /VoA