Ambasada amerikane në Bjerut, u ka kërkuar qytetarëve të saj që të largohen nga Libani me “çdo biletë të dispouneshme”, pas tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.
Një paralajmërim të ngjashëm e ka dhënë edhe Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, i cili tha se situata mund të përkeqësohet me shpejtësi.
Irani është zotuar për një hakmarrje “të ashpër” kundër Izraelit, të cilin e fajëson për vdekjen e shefit të Hamasit Ismael Haniyeh në Teheran të mërkurën.
Ambasada amerikane deklaroi të shtunën se ata që zgjedhin të qëndrojnë në Liban, duhet të “përgatitin plane emergjence” dhe të jenë të përgatitur të “strehohen në vend për një periudhë të gjatë kohore”.
Në anën tjetër, Pentagoni ka thënë se po vendos anije luftarake dhe avionë luftarakë shtesë në rajon, për ta ndihmuar mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e mundshme nga Irani dhe përfaqësuesit e tij.
Në koordinim me planet amerikane është edhe Britania e Madhe, e cila bëri të ditur se do të dërgojë personel shtesë ushtarak, personel konsullor dhe zyrtarë të forcave kufitare për të ndihmuar me çdo evakuim, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve britanikë ta lëshojnë Libanin.
Dy anije ushtarake britanike janë tashmë në Lindjen e Mesme dhe Forcat Ajrore Mbretërore kanë vënë në gatishmëri helikopterët e transportit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar izraelitët se “ditë sfiduese janë përpara, kemi dëgjuar kërcënime nga të gjitha anët por jemi të përgatitur për çdo skenar”./BBC