Drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri, Altin Qato është pezulluar nga detyra, pasi ka goditur një qytetar me shpullë.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, sapo e ka parë videon e publikuar në rrjete sociale, ka urdhëruar pezullimin e Qatos.
“Gjithashtu, ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204, pika 2, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, “Sjellja e rendë diskredituese”. Hetimi disiplinor do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”.
“Sqarojmë opinionin publik se qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë-Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në radhë deri sa të normalizohej lëvizja”.
“Edhe pas këshillimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, këta shtetas kanë vijuar t’i bien pa pushim sistemit zanor të automjetit, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe njëherazi irritim të tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Po ashtu, Policia e Shtetit bëri të ditur se personat E.Q., dhe Gj.K., janë shoqëruar në polici, ku pas përfundimit të veprimeve janë proceduar penalisht për “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.