Që nga njoftimet e fundit për hapjen e mundshme të urës kryesore në Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën jugore dhe veriore, deri më sot nuk është bërë asgjë, Bashkimi Evropian tha se çështja duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, beson se ura do të hapet kur të krijohen kushtet dhe se ura do të përdoret vetëm si zonë për këmbësorë, e jo për qarkullim të automjeteve. Ne pyetëm gjithashtu njohësit e ngjarjeve se si e shohin ata këtë çështje.
Ura në Ibër ishte edhe temë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, thotë se hapja e urës në veri do të ndodhë kur në Bruksel të dakordohen që të krijohen kushtet për një veprim të tillë.
“Unë e kam shprehur disa herë mendimin tim dhe po mundohem t’ua paraqes mendimin tim kolegëve ministra dhe sigurisht kryeministrit, që është se hapja e urës ishte një marrëveshje mes dy-tri palëve në Bruksel dhe ishte pjesë e procesit teknik të Brukselit apo negociatave teknike në të cilat thuhet se, ndër të tjera, dy palët në këtë rast dhe e treta si lehtësues do të bien dakord se kur do të krijohen kushtet për hapjen e urës dhe me theks të veçantë thuhet që ura do të përdoret për këmbësorë, që do të thotë fjalë për fjalë është një urë për këmbësorë, asnjëherë nuk është menduar të ketë trafik, veçanërisht trafik makinash apo ndonjë lloj trafiku tjetër, prandaj është e pazakontë të insistohet që të ketë qarkullim të veturave apo automjeteve të tjera kur nuk është përmendur as në marrëveshjen e Brukselit e as në marrëveshjen e tregut”, thotë ministri Rashiq.
Ai shton se nuk ka nevojë për ngritjen e tensioneve, sidomos në Mitrovicën e Veriut dhe se duhet të shmangen veprimet e njëanshme.
“Prandaj, unë do të insistoja edhe një herë që të mos bëhen veprime të njëanshme, kushdo që e bën këtë, sepse është e rëndësishme në kuptimin strategjik që ajo pjesë e marrëveshjes të përfundojë ashtu siç është krijuar, jo të pritet përgjysmë dhe të bëhet me idetë dhe planet apo implementimet tuaja, por të mbeten konsekuente dhe kjo është ajo që në përgjithësi nga këndvështrimi im politik duhet të qëndrojë”, tha ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Aleksandar Shluka nga OJQ-ja “Iniciativa e Re Shoqërore” thotë se ka shqetësime të shumta për hapjen e urës në Ibër, para së gjithash se si do të bëhet dhe kush do të përfitojë realisht prej saj.
“Nëse po flasim për disa nga përfitimet që i ka përmendur kryeministri Kurti, gjegjësisht integrimin ekonomik, tregtinë e të ngjashme, mund të shohim, sipas disa vendimeve të mëparshme të Qeverisë së Kosovës, se thjesht nuk e bëjnë këtë, pra, nuk e kanë bërë në periudhën e kaluar, kemi për shembull, ndalimin e importit të mallrave që ka më shumë se një vit, kemi dekretin e Bankës Qendrore të Kosovës, i cili praktikisht i hoqi transaksionet e pagave serbe, pra këto janë dy gjëra që e kanë vështirësuar aspektin ekonomik, aspektin ekonomik të komunitetit serb që jeton vetëm në veri, por edhe në mbarë Kosovën, dhe nëse kjo qeveri vërtet dëshiron të përmirësojë sferën ekonomike dhe bashkëpunimin në tregti, së pari duhet të merret me ato vendime, se si ato vendime ndikojnë në komunitet dhe të shohim se si t’i korrigjojmë ato pasoja negative”, thotë ai.
Kurse drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, beson se hapja e urës duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë me BE-në.
“Unë mendoj se hapja eventuale e urës në Mitrovicë duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë me BE-në dhe KFOR-in në bazë të dispozitave përkatëse të marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2014 dhe 2016”, tha Peci për RTK2.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi deklaroi se qeveria e tij synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër dhe se ky veprim nuk është i drejtuar kundër askujt. Sipas Kurtit, hapja e urës do t’i ndihmojë të gjithë banorët e zonës, pavarësisht nga kombësia e tyre.