Ish-kryeshefi i shkarkuar ditë më parë nga KRU “Hidrodrini”, Dri Cena, ka reaguar për herë të parë.
Cena hedhi akuza mbi bordin e Drejtorëve, teksa tha se sjelljet e tyre nga dita e parë kanë lënë shumë për të dëshiruar.
Ai tha se për 14 muaj në këtë detyrë, janë realizuar shumë punë e projekte të mira që edhe sot janë të prekshme për konsumatorin, stafin dhe opinionin, përcjell IndeksOnline.
“Arsyeja për shkarkimin tim nga pozita e KE-së të KRU ”HIDRODRINI” SHA nga Bordi i Drejtorëve i përbërë nga Jusuf Nikçi, Mevlyde Begolli, Simon Balaj dhe Driton Sylqa është se unë Dri Cena nuk kam pranuar t’ju bëhem servil, sikurse disa persona tjerë në kompani”, ka thënë ndër tjerash Cena.
Reagimi i tij i plotë:
Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, kam besuar që është koha kur vërtet mund të bëjmë punë të mira në anën profesionale dhe njerëzore, në shërbim të rritjes së kualiteteve dhe shërbimeve për konsumatorët dhe mirëqien e stafit.
Një ndërmarrje me rreth 300 punonjës, më shtrirje të furnizimit në 5 komuna të rrafshit të Dukagjinit, ka kërkuar angazhim profesional 24/7 dhe jo vetëm, për çfarë besoj se menjëherë e kemi bërë diferencën.
Sjelljet e Bordit të Drejtorëve, të cilët i kisha gjetur në detyrë, nga dita ime e parë kanë lënë shumë për të dëshiruar, duke qenë shpeshherë edhe vështirë të tejkalueshme, pasi që të njejtit nuk kanë qenë aspak bashkëpunues. Përkundrazi kanë krijuar shumë situata në dëm të Kompanisë.
Arsyeja për shkarkimin tim nga pozita e KE-së të KRU ”HIDRODRINI” SHA nga Bordi i Drejtorëve i përbërë nga Jusuf Nikçi, Mevlyde Begolli, Simon Balaj dhe Driton Sylqa është se unë Dri Cena nuk kam pranuar t’ju bëhem servil, sikurse disa persona tjerë në kompani.
Për 14 muaj në këtë detyrë, janë realizuar shumë punë e projekte të mira që edhe sot janë të prekshme për konsumatorin, stafin dhe opinionin, duke cekur gjithnjë mbështetjen e pakursyer në projekte të tilla, qoftë nga ministritë e linjës qoftë investitor të jashtëm, nga të cilët vazhdimisht është parë gatishmëria për të bërë ndryshimin. Për të arriturat por edhe sfidat dhe sukseset nuk do të ndalem shumë, sepse ato janë të vërejtshme.
Për hir të së vërtetës dhe opinionit publik, po sqaroj disa prej arsyeve kyçe të shkarkimit tim,e të cilat sa janë qesharake aq edhe të pavërteta.
Me ardhjen time, objektiv ta parë kam pasur Raportimin e saktë të prodhimit të ujit, ku është bërë instalimi i ujëmatësve nëpër të gjitha pikat e prodhimit dhe atë me lexim nga largësia. Në të njejtën kohë, inkasimi ka pasur ritje mbi 50%. Kemi rritur shtrirjen e rrjetit të kanalizimit për mbi 300 kilometra gjatësi. Kanë ndodhur investime në rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit në shërbim të përmirësimit të kushteve dhe shërbimeve për konsumatorë. Është akredituar laboratori i Kimisë dhe Mikrobiologjisë. Është rritur standardi dhe mirëqenia e stafit punues në të gjitha zonat e sherbimit. Të gjitha këto, si duket më kanë kushtuar, meqenëse secila arritje e jona, në vend se nga Bordi të kuptohej si sukses i përbashkët, ajo shihej e papranueshme me frikën se sukseset po i adresohen Kryeshefit.
Akuzat e Bordit mbi humbjet e ujit, janë të pabaza dhe qesharake. Mungesa e ujit sot është problem global dhe KE nuk e ka shkopin magjik që brenda këtyre 14 muajve ti zvogëloj këto humbje, pasur parasysh këtu edhe vjetërsinë e rrjetit si dhe problemet tjera në terren. Në këto pika, fatkeqësisht, Bordi ka qenë aq jo profesional sa që ka qenë e pamundur që si problemet ashtu edhe sukseset ti kuptojnë dhe ti ndjejnë për ti zgjidhur. Kam pasur shembull dëshpërues, derisa pas instalimit të ujematësve me lexim nga distanca nëpër burime, njëri nga anëtarët e Bordit tha “eh tash po i zvogëlojshim humbjet nga zyra.”!
Problem 14 mujor i imi me këtë Bord ka qenë poashtu, tendenca për ndërhyrje të vazhdueshme në secilin konkurs, për të punësuar familjar dhe të afërm. Kanë favorizuar njerëz të caktuar në kompani duke kërkuar nga unë që ti caktoj në pozita të caktuara. Kanë kërkuar që të ndërhyjnë në komisione diciplinore për persona që i kanë favorizuar. Përmes punëtorëve të caktuar kanë ndikuar që të bojkotojnë punën me efekt që të paraqitemi keq si kompani, në secilën performancë. Krejt këto, më kanë ndodhur paralelisht në periudha sfiduese, kur kompania përballej qoftë me vërshime stinore, qoftë me thatësira verore dhe rënie të nivelit nëpër burime.
Gabimi i cili është bërë në llogaritjen e pagave nga ZKF për disa punëtorë e që ceket në arsyetimin e shkarkimit tim është evidentuar bashkërisht dhe i njejti është evituar pasi që ka qenë gabim teknik. Është e pakuptueshme se si Bordi po vazhdon ta emëroj Ushtrues Detyre të KE, zyrtarin i cili paska bërë ”pagesa jashtligjshëm”, pasi që KE nuk bënë pagesa por ZKF!
Jam akuzuar për angazhimin e profesionistëve të jashtëm të jurispodencës. (Avokat të jashtëm) PO, më shumë krenari, e para sepse kam qenë i interesuar të mbrojë dhe ruaj asetet e shtetit dhe e dyta sepse me urdhër të Kryesuesit të bordit jam detyruar që nga ditët e mia të para të punës, zyrtarit ligjor që e kisha gjetur aty ti jap pushim pa pagesë, dhe sepse une nuk jam Jurist por jam inxhinier.
Një tjetër element për tu hedhur poshtë nga arsyetimi i shkarkimit tim, është se të gjitha marëveshjet që janë nënshkruar me operatorë privat, janë të rregullta dhe të ligjshme.
Së fundmi, kam marrë edhe përgjigjen nga prokuroria që është mbyllur rasti në lidhje me një lëndë të cilën bordi në mënyrë tinzare dhe shumë të ulët e ka dërguar në prokurori.
Duke ndjerë keqardhje për kompaninë, theksoj se ky Bord ka njerëz me të kaluar shumë të dyshimtë në anën profesionale dhe morale, njerëz të cilët kanë zhvatur edhe buxhetin e shtetit edhe në Kompani, me dreka e darka pas seciles mbledhje. Vetem në vitin 2023 janë mbajtur 16 mbledhje të BD, vetëm që të merren meditje shtesë.
Në fund, pas një mbledhjeje 4 orëshe të datës 31 korrik 2024, ku janë miratuar Raporti operativ-financiar Qershor 2024, raporti TM2/2024 dhe rishikimi i Planit Buxhetor 2024, i njejti Bord, tinëzisht, me një letër A4 të gjatë, të parapërgatitur, votoi shkarimin tim nga kjo pozitë.
Ku qëndron fytyra dhe burrëria juaj, për të më dalur përpara dhe për të më komunikuar këtë shkarkim. Vepruat si gjithmonë në mënyrë tinzare, duke ikur nga salla dhe duke më dërguar me email vendimin për shkarkim.
Jusuf Nikçi, Simon Balaj, Driton Sylqa turpi ju mbuloftë!