Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, synon të rrisë mbështetjen amerikane për luftën e shtetit të tij kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian- dhe grupeve tjera të përkrahura prej Iranit, përmes një fjalimi para Kongresit amerikan.
Disa figura të larta në mesin e demokratëve e kanë bojkotuar fjalimin e Netanyahut, ndërsa mijëra amerikanë janë duke protestuar para ndërtesës së Kongresit, për të dënuar luftën në Gazë dhe krizën humanitare që e ka krijuar.
“Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku”, ka thënë Netanyahu, i cili në xhaketë e ka mbajtur një shenjë solidariteti me pengjet izraelite që po mbahen nga Hamasi.
“Kur jemi bashkë, ndodh diçka e mrekullueshme: Ne fitojmë, ata humbin.”
Ai ka thënë se 7 tetori i vitit të kaluar do të jetë gjithmonë ditë turpi për izraelitët dhe e ka krahasuar me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
“Për Izraelin, premtimi ‘kurrë më” nuk duhet të jetë premtim bosh”, ka thënë ai, duke iu referuar shprehjes së krijuar për Luftës së Dytë Botërore.
“Pas 7 tetorit, ‘kurrë më’ është tani”, ka thënë ai.
Lufta e nisur më 7 tetor të vitit të kaluar është nxitur prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.
Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Izraeli, më pas, ka nisur fushatë në Gazë për të shkatërruar Hamasin.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.
Teksa rriten kritikat kundër tij në Izrael, Netanyahu synon të portretizojë veten si udhëheqës që po respektohet prej SHBA-së, aleates më të rëndësishëm për Izraelin.Kjo çështje është duke ndarë secilën herë e më shumë amerikanët, dhe është bërë ndër temat kyçe në vitin zgjedhor në SHBA.Zyrtarë amerikanë të sigurisë kanë hedhur sprej piperi kundër mijëra protestueseve afër Kongresit, të cilët e kanë quajtur Netanyahun “kriminel lufte” dhe kanë bërë thirrje për armëpushim.Netanyahu është mirëpritur me duartrokitje të vazhdueshme në Kongres.“Sot dhe çdo ditë, Amerika duhet të qëndrojë afër Izraelit”, ka thënë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, para fjalimit të Netanyahut.
Fjalimi i tij në Kongres e bën Netanyahun liderin e parë të huaj që u drejtohet anëtarëve të të dyja dhomave të Kongresit për të katërtën herë, duke e tejkaluar edhe Winston Churchillin.
Netanyahu ka folur edhe protestuesit kundër luftës në Gazë, dhe ka pretenduar që ata kanë vendosur “të jenë me djallin”.
“Ata duhet të turpërohen nga vetja”, ka thënë Netanyahu. /REL