Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjte pranë një lokali, në lagjen 17, në Durrës.
Sipas informacioneve nga Klodiana Haxhiaj, i plagosur ka mbetur një person rreth 70-vjeç.
Teksa policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, dyshohet se autorët janë identifikuar.
Policia e Shqipërisë ka konfirmuar gjuajtjen me armë zjarri në Durrës.
Në njoftimin e policisë, thuhet se i dyshuari është arrestuar derisa po tentonte të largohej.
“Plagosi me armë një 70-vjeçar, dyshohet pas një konflikti të çastit në një lokal në lagjen nr. 17, falë reagimit në kohë të Policisë, kapet në tentativë për t’u larguar dhe shoqërohet në Polici autori i dyshuar. Policia gjeti në brendësi të lokalit ku ndodhi ngjarja dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë”.
“Rreth orës 19.30, në një lokal në lagjen nr. 17, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit , shtetasi A. H., 31 vjeç, banues në lagjen nr. 17 Durrës, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin F. H, rreth 70 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”.
“Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve Operacionale dhe Shqiponja kapet në tentativë për t’u larguar dhe shoqërohet në Polici,për veprime të mëtejshme autori i dyshuar i plagosjes. Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë shoqëruar dhe një shtetas tjetër, konkretisht shtetasin A.T, 56 vjeç, që ishte bashkë me autorin e dyshuar të ngjarjes në momentin kur ka ndodhur ngjarja”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.