Autoritetet serbe po i heqin shqiptarët etnikë nga regjistri i popullsisë, duke ia gërryer të drejtat e tyre dhe duke lënë mijëra pa shtetësi. Largimet po zvogëlojnë shifrat zyrtare të pakicës shqiptare të vendit.
Kështu ka nisur një artikull të gjatë “Deutsche Welle” në gjuhën angleze për të trajtuar çështjen e pasivizizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë nga shteti serb.
Biznesmeni Safet Demiri u përball me një të papritur të pakëndshme kur shkoi për të rinovuar regjistrimin e makinave të kompanisë së tij në gusht të vitit 2019. Një zyrtar në vendlindjen e Demirit, Medvegjë, në Serbinë jugore, i tha atij se ai nuk ishte më i regjistruar në regjistrin e popullsisë.
“Mund të më kishe rrëzuar me pendë”, tha ai për DW.
Demiri udhëton mes Medvegjës, ku drejton një resort turistik dhe një kompani telekomunikacioni, dhe Vjenës, ku punon si kontraktues ndërtimi.
Por, që nga vera e vitit 2019 emri i tij nuk figuron më në regjistrin e popullsisë së vendlindjes, ku familja e tij jeton prej mbi 200 vitesh.
Demiri tha se zyrtarët thjesht ngritën supet kur ai e pyeti se si duhej të drejtonte bizneset e tij në Medvegjë pa një adresë të regjistruar apo makina. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse t’i regjistronte makinat në emër të babait të tij.
Gjykata vendosi se heqja ishte e ligjshme
Deri më sot, situata e tij mbetet e pandryshuar dhe të drejtat e tij janë të kufizuara. Ai ka ndërmarrë veprime ligjore, por Gjykata Administrative në Nish ka vendosur që fshirja e tij nga regjistri është e ligjshme për shkak se ai jetonte jashtë vendit.
“Privatisht më thanë se udhëzimet kishin ardhur nga lart”, tha 46-vjeçari.
Demiri nuk është i vetëm në këtë aspekt. Mijëra të tjerë në Luginën e Preshevës me shumicë etnike shqiptare në Serbinë jugore ndajnë fatin e tij. Një numër njerëzish që është në rritje janë hequr nga regjistri i popullsisë pa paralajmërim.
‘Pasivizimi’ i adresave
Arsyeja është përkatësia e tyre etnike, tha Flora Ferati-Sachsenmaier, pedagoge në Universitetin e Göttingen-it në Gjermani. Ajo vetë vjen nga ky rajon dhe shkroi një studim mbi këtë temë në vitin 2023, i cili u botua nga Max-Planck-Institut në Göttingen.
Ferati-Sachsenmaier u njoh me fenomenin rastësisht në vitin 2016, ndërsa punonte në një projekt krejtësisht të ndryshëm në rajon. Sa më shumë që hulumtonte, aq më shumë kuptonte se pas fshirjeve fshihej një metodë.
“Çdo i dyti shqiptar me të cilin flisja më thoshte se autoritetet po i fshinin nga regjistri i popullsisë”, tha ajo për DW.
Pasoja të rënda
Autoritetet serbe e quajnë “pasivim” (ose “pasivizim”). Nëse zbulojnë se dikush nuk jeton më në adresën e tyre të regjistruar, ai ose ajo fshihet nga regjistri i popullsisë, tha Ferati-Sachsenmaier.
Por nuk janë vetëm njerëzit që nuk jetojnë më në vend që janë hequr nga regjistri; po kështu edhe njerëzit që kanë shkuar me pushime apo udhëtime jashtë vendit. Si rregull, pasi të jenë hequr nga regjistri, ata nuk ia dalin më të kthehen në të.
Pasivizimi ka pasoja serioze për të prekurit, si duke e bërë të pamundur marrjen e pasaportave dhe sigurimin shëndetësor për ta.
Një përpjekje për të zvogëluar përmasat e minoritetit shqiptar?
Objektivi me sa duket është zvogëlimi i numrit të popullsisë shqiptare etnike në Serbinë jugore.
“Ndërsa rreth 10% e popullsisë në Luginën e Preshevës është prekur, rastet e pasivizimit në rajonet e tjera të Serbisë prekin më pak se 1% të popullsisë përkatëse komunale – nëse ato ndodhin”, shpjegoi Ferati-Sachsenmaier.
Situata është veçanërisht problematike për shqiptarët etnikë që kanë jetuar dhe punuar në Kosovë që nga lufta e vitit 1999, tha Enver Haziri, i cili drejton një agjenci në Kosovë që merret me çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët etnikë nga Lugina e Preshevës.
Shumica e këtij grupi u shpërngulën nga rajoni i tyre i lindjes kur lufta përfundoi në qershor 1999 dhe minoriteti shqiptar në Serbinë jugore e pati peshën më të madhe të zemërimit të ushtrisë serbe në tërheqje.
Përderisa këta shqiptarë etnikë të zhvendosur në Kosovë, ata kurrë nuk ishin regjistruar zyrtarisht atje. Pasivizimi i bën ata praktikisht pa shtetësi, gjë që i margjinalizon edhe më shumë.
“Ndërsa janë të mirëpritur moralisht, as nuk njihen si refugjatë dhe as nuk u jepet shtetësia kosovare”, tha Haziri.
Në kohën e kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e Kosovës është përpjekur të ndryshojë situatën dhe t’u japë atyre leje qëndrimi.
Shqiptarët etnikë në Serbinë jugore — një pakicë e margjinalizuar
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi në një raport i është referuar pasivizimit të adresave si “një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”.
Në Luginën e Preshevës, të cilës i takojnë komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës jetojnë rreth 60.000 shqiptarë etnikë. Edhe pse ata përbëjnë shumicën e popullsisë atje dhe Serbia ka nënshkruar Konventën Kornizë të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, shqiptarët etnikë janë margjinalizuar sistematikisht, tha Shaip Kamberi, i vetmi politikan shqiptar etnik që zgjidhet në parlamentin serb.
Si një kandidate për anëtarësim në BE, Serbia është angazhuar për të përmirësuar përfaqësimin e pakicës së saj shqiptare në institucionet publike.
“Pasivizimi është vetëm një nga masat e diskriminimit”, thotë Kamberi. “Ne nuk jemi të integruar në jetën publike dhe investitorët e huaj të mundshëm shpesh pengohen të investojnë në bizneset tona. Për më tepër, avancimi i militarizimit të territorit e bën gjithashtu jetën në rajon të vështirë”.
Për të mbështetur këtë deklaratë, Kamberi tregon hartën e 48 bazave ushtarake serbe në kufirin me Kosovën. Shumica e këtyre bazave janë në Luginën e Preshevës.
Shqetësim në Berlin
Kamberi së fundmi vizitoi Berlinin për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje brenda qeverisë dhe parlamentit. Ligjvënësit me të cilët takoi janë të shqetësuar për situatën.
Knut Abraham nga CDU/CSU e qendrës së djathtë tha për DW: “U bëj thirrje ambasadave të vendeve anëtare të BE-së në Beograd që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë situatës dhe të kërkojnë dialog për këtë çështje me përfaqësuesit e pakicës”.
“Situata e pakicës shqiptare në Serbi meriton vëmendje më të madhe ndërkombëtare”, tha Thomas Hacker i FDP-së liberale. “Për momentin, fokusi në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës është shumë i madh, ndërsa çështje të tjera, po aq të rëndësishme, me keqardhje po shtyhen në plan të dytë”.
Hacker vazhdoi duke thënë se procesi i pasivizimit është si një privim i të drejtave.
Ministria e Jashtme gjermane në Berlin u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të “sigurojnë marrëveshje transparente dhe të drejta në përputhje me detyrimet”.
Qeveria serbe mohon diskriminimin
Përderisa qeveria dhe autoritetet serbe nuk e mohojnë se ekziston pasivizimi, ata hedhin poshtë pretendimet se ai është i motivuar nga diskriminimi ndaj shqiptarëve etnikë në Serbi.
Në dhjetor 2023, Aleksandar Martinoviq, ministër për administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, u tha mediave serbe se “çaktivizimi i vendbanimeve” në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë ishte në përputhje me ligjin dhe nuk ishte diskriminues.
DW iu drejtua qeverisë serbe për koment, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje para publikimit.
Biznesmeni Safet Demiri dhe disa shqiptarë të tjerë etnikë kanë paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese në Beograd. Ata janë të sigurt se çështja e tyre do të refuzohet dhe synojnë ta çojnë çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Mundësia e suksesit është e lartë. Megjithatë, është e diskutueshme nëse një fitore e tillë do të ndikonte në politikën e Serbisë ndaj pakicës së saj shqiptare.